Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: “Unazat e nënës”

544
Asnjëherë nuk e mora vesh se si e qysh unazat e nënës pasi ndërroi jetë më mbetën mua. Vetëm di, që pasi më mbetën mua, unë kisha një dëshirë t’i mbaj me vete në kuletën time. Ashtu më dukej se isha njeriu më i pasur në Botë. Madje, duke u mburrur, në një darkë me motrat,me unazat e nënës në portofolin tim, u thashë se më dukej vetja edhe më i pasur se më i pasuri i botës, Uorren Bufet. Katër syve të motrave iu ndriu retina dhe mua m’u duk sikur u ngjall Nëna përsëri dhe erdhi të darkonte me ne në tryezë… Nuk e kam zakon të futem në restorante fast fud, por ndonjëherë nuk ke çfarë t’i bësh, të merr uria dhe duhet të ndalesh. Ama, nga dritarja e makinës, ju bëj be se kurrë nuk kam urdhëruar të blej, as hamburger, as kafe, as burrito, as gjë prej gjëje. Jo, për gjë, po nëna më pati qortuar një herë kur më pati dhënë një fetë buke me gjalpë dhe unë po e haja ashtu në këmbë, pa u ulur në tryezë.

– Mos të të shof ta hash bukën në këmbë,se nuk të bjen në bark, të shkon për kurrizi e bjen në tokë.Ulu në karrike dhe përtype avash kafshatën se të mbetet në grykë po u ngute…Që prej asaj kohe unë kur e ha një copë buke,ulem diku se e kujtoj qortimin e nënës. Shto edhe unazat e saj që i kam në portofol me vete,dhe, nuk kam nga t’ia mbaj. Më duket sikur sytë e nënës udhëtojnë me mua…I uritur siç isha ndala makinën tek fast fudi që është në buzë të liqenit Manaua,në Council Bluf të Iouas. Mora një burger me pulë të zgarës dhe një lëng shege të Kalifornisë. U ula në verandën e restorantit se doja të çlodh edhe sytë me pamjen e liqenit dhe patat në breg. Si hëngra, pashë që ora kishte kaluar përtej gjysmës së orës që e kisha të lirë për të ngrënë drekën. Ou, thashë, me vete, u turpërova me bosin. Po tani, si t’ia bëj? Shpejt brofa në këmbë, mora çelsat në dorë dhe vetëtimthi ndeza makinën. Nga liqeni deri tek ura e re mbi lumin Misuri eca si i marrë me shtatëdhjetë milje në orë. Por, ç’e do,gjithë ai nxitim më shkoi për dhjam qeni. Preka me dorë xhepin e pasmë të pantallonave, aty ku mbaj zakonisht portofolin dhe, për dreq, vura re se nuk e kisha portofolin. Dukej se nga nxitimi, a një zot e di se si, më kishte rënë në tokë. U ktheva edhe një herë mbrapsht tek restoranti gjithë ankth. Pa portofolin, isha pa asnjë dokument, pa patentën, pa kartat e bankave dhe, pa hajmalinë time: unazat e nënës. Të gjithave ua bëja dermanin: për patentë shkoja të nesërmen tek zyrat e DMW dhe e merrja një patentë provizore, për kartat e bankave iu telefonoja bankave t’i bllokonin llogaritë e mia. Por, unazat,unazat e nënës, ato ku t’i gjeja… Sa hyra në restorant, me shpresë se dikush mund ta kishte gjetur portofolin tim, në vend që ta pyesja menaxherin për portofolin i thashë: 

– A mos i dorëzoi kush tek ju unazat e nënës sime? 
– Çfar?- pyeti menaxheri, dhe shqeu sytë a thua se nuk kishte të bënte me njeri në hall. E mblodha veten, ia sqarova se si pasi e bleva burgerin dola dhe e hëngra në verandë, se si u ngrita me nxitim të rikthehesha në punë dhe, se si, më në fund, për djall, mbeta edhe pa portofol… Pa dokumente dhe pa unazat e nënës..Menaxheri tha ftohtë se kurrkush nuk kishte dorëzuar ndonjë portofol të gjetur, por më premtoi se do të shihte videot e filmimeve të kamerave të sigurisë dhe se do të më telefononte nëse kishte diçka të re për të më thënë. Pas tre ditësh zoti Roxher, më mori në telefon dhe më tha:

– Kam një lajm për ty. Nga videot që pashë, më del se një djalë e ka gjetur portofolin tënd, e ka mbajtur pak minuta në duar, ka marrë diçka aty, dhe pastaj e ka hedhur në liqen…
– Oh,mos Roxher, më mirë të mos ma kishe dhënë këtë lajm, m’i këpute krahët krejt.
– Kishe shumë para kesh aty, prandaj mërzitesh ti?
– Vetëm njëqind dollarë kisha. Po nuk e kam hallin tek dollarët. E kam hallin tek unazat e nënës, a më kupton o vëlla?
– Të marr vesh,o vëlla- ma ktheu edhe ai. 
– Unë do të bëj ç’mos që t’i gjejmë ato unaza,sepse atë djaloshin e njoh. Është një i pastrehë, me prindër të divorcuar që vjen herë pas here të blejë hamburger këtu tek unë.

– Ty t’u bëftë dita njëmijë,Roxher! – thashë unë që sa nuk po fluturoja nga gëzimi se, disi u duk një rreze shprese për unazat e nënës. Ndërkaq, një ditë tjetër, Roxher, më tregoi ballë për ballë se si ishte takuar me djaloshin e pastrehë Matt, se si kishte mësuar prej tij që ai kishte marrë nga portofoli vetëm njëqind dollarëshin, se si kishte parë ca unaza floriri që nuk i kishte prekur me dorë, dhe, se si e kishte hedhur në liqen portofolin. 

– Me ato njëqind dollarë, i kam blerë hamburgerat deri më sot. Ku t’i gjej paratë unë?! Punë nuk kam, strehë nuk kam- i kishte thënë gjithë frikë Matt Roxherit. 

– Unë ty nuk të kallëzoj në polici- i ishte përgjigjur Roxher djaloshit Matt.- Mos ki frikë. Do të të marr këtu në punë dhe sonte do të vish të strehohesh në shtëpinë time. Për dy dite me radhë polumbarët që pagoi Roxher nga xhepi i tij e kërkuan kuleten time në liqenin e Manouas në Ioua. Për dy dite me radhë po ashtu si Roxher, edhe djaloshi Matt që i shkonin djersët çurk mbi sobën e hamburgerave, pyeste polumbarët gjithë ankth, nëse e gjetën kuletën. Ata e gjetën kuletën. Dhe unë, ashtu të lagur, me unazat e nënës në të, e futa përsëri në xhep. E përqafova Roxherin dhe Mattin. Po një gjë tashmë nuk e di mirë. Deri më dje, u mburresha motrave se me unazat e nënës në xhep, unë isha njeriu më i pasur në Botë. Tani e tutje ne jemi tre njerëz në Ioua që duhet ta ndajmë midis nesh pasurinë e atij që është më i pasuri i të pasurve në Botë! Ne jemi tre, Matt, Roxher dhe unë…
Sigal