Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Halla

167
Sigal

Ndër shtëpitë e pakta të katundit, për të cilën thuhej se po të shkoje për mik nuk të hanin morrat ishte shtëpia e hallës sime. Shtëpia vetë nuk qe kushedi se çfarë. Njëkatëshe prej guri dhe me çati prej rrasash. Ama shtëpia e hallës na bënte krenarë: nuk kishte morra. Unë hallën e doja dhe e dua shumë, sepse mbante të njejtin emër që kishte mëma. Por kur e mori vesh gjithë Shqipëria se pse ishte e famshme halla, e desha edhe më shumë. Si e mori vesh Shqipëria se halla qenkej pastërtore e madhe kjo mbeti enigmë. Po thonë se këtë e bëri të ditur Todi. Todin e çoi tek shtëpia e hallës im atë. Todi ishte i madh. Domethënë kishte zyrë të madhe.Todi shkruante në gazetë. Kur hyri Todi në odën e miqve halla e vuri në qoshe të oxhakut. I poqi një kafe dhe kur ia dha filxhanin në dorë i tha: „Merr se t’ka pru Zoti. Ç’kjo shpaj asht e t’zotit ene e mekut“.Todi nuk mori vesh asgjë, por im atë ia shpjegoi fill e për pe kuptimin e dialektit. Pastaj Todi pyeti:- Po ku është i zoti i shtëpisë?- „Ka shku në mal. Asht t’u çelë nji gropë gërqelje se don me ia shtu nji odë konakut“ – tha halla. Erdhi koha e darkës- Jam i uritur – tha Todi- T’i baj motra petllat tahé. Petlla me tlyn. Edhe nji tas me kos Macukulli e të zajë xhumi rahat! Todi i llupi petullat. Kur erdhi koha me fjetë halla shtroi dyshekun në qoshe të odës. E mbuloi me çarçafët e bardhë si bora dhe me një sixhade të leshtë, që e kishte thurur vetë. Në anën tjetër të oxhakut halla i shtroi dyshekun të vëllait dhe tha:- Or Hamit, t’pastë motra, ty nuk të ngel hatri se t’kam shtru dyshekun me kashtë. Mekut ia kam shtru at me pamuk…Hamiti vuri buzën në gaz dhe tha:- Të kam si dritë! Pastaj Todi u bë kurioz se e pa që kishte një lloj hierarkie në zgjedhjen e cilësisë së dyshekëve dhe pyeti:- Po i zoti i shtëpisë ku fle?

Hallës nuk i pëlqeu kjo pyetje, megjithatë, i ftoi të dy, të vëllain Hamitin dhe Todin t’u tregonte ku flinte i shoqi. Ishte një kthinë e vogël në krye të shkallëve me një krevat prej druri që e kishte gdhendur vetë i zoti i shtëpisë.- Ky asht krevati i Hasanit, i t’zotit të shpajs që ka shku në mal me qit gërqelen për konakun – tha halla.- Çfarë ka brenda dysheku? – pyeti Todi.- Ka lesh rudë – tha halla.- Këtu dua të fle unë – tha Todi.- A e nigjove, or vlla? – iu drejtua halla Hamitit.- Po – tha Hamiti – dhe një tis mërzie ia mbuloi fytyrën.- Or mek, aj dyshek asht veç për t’zotin e shpajs. Veç për Hasanin tim. Taj ke me fjetë n’at dyshek kur ta shofësh me seun tand majën e veshit…Hamitit i qeshën sytë. E mori në grykë të motrën dhe i tha:- Të kam motër të mirë, më e mira në botë. Todi fjeti aty ku ia kishte shtruar dyshekun halla. Pas një jave Todi shkroi në gazetë një përshkrim dhe e mburri hallën për pastërtinë dhe për petullat e Macukullit…Por, Todi nuk përmendi as gjysmë fjale se çfarë i tha halla kur i foli për dyshekun e të zotit të shtëpisë…Halla u bë edhe më e famshme në katund, jo vetëm se në shtëpinë e saj nuk kishte morra, por sidomos për përgjigjen që i dha Todit…