Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Beteja e humbur e Alajdin Morinës

452
Sigal

 

Atë verë që Alajdin Morina mori një shtesë pensioni ,qershia në oborr sa nuk po thyhej nga pesha e frutave. Pas tymit që kishin lënë plumbat qorr që desh ia këputën jetën në mes nipit të tij atë vit të mbrapshtë ,ajo qershi sikur sillte fat.Nipi Artion kishte gjetur një punë në një lavazh makinash. Do të ushqesh veten i kishte thënë e ëma, Hajria…Dhe ai që bërë me flatra se që bërë i zoti të ushqente veten… Zoti Alajdin e shtynte jetën me kujtime.Për të pothuaj ishte e pakuptimtë që nipi, me një barrë shkollë të përfundonte me një zorre uji në dorë dhe të lante makinat e zëngjinëve të rinj. Sepse zotit Alajdin pensioni i dilte dhe i tepronte. Sidomos me këtë shtesën e re që kishte marrë si veteran i luftës së dytë botërore. Nipi Artion e llogariste me cent rrogën e tij dhe e shumta që mund të hiqte menjanë, ishte një pesëmijëlekëshe e vjetër për t’i bërë lule Angelinës, të dashurës së tij ,për fundjavë. Dy byrekë me gjizë në mëngjes, një shishe dhalle të dyqani i Durit dhe aq, kjo ishte e gjithë menyja e përditshme e tij. Prandaj edhe qe holluar në trup, aq sa e ëma, Hajria, jo rrallë i thoshte” ta shoh në gurmaz edhe ujet që pi o bir”. Por, ndryshe nga nipi,zoti Alajdin e kishte pak dhjamë në qafë. Nuk i shihej ujet kur pinte në gurmaz. Shto këtu se, ai kujdesej për gurmazin e vet duke e ushqyer me kujtime për luften që thoshte se kishte bërë. Se çfar lufte kishte bërë Alajdini , një zot e di, se ai kishte qenë vetëm dhjetë vjeç kur një autokolone me gjermane kaloi nëpër luginë shtatëdhjetë vjet më parë. Por, Alajdini fliste për beteja, për të plagosur në krah të tij, për robër lufte, dhe për gërmadha shtëpish…
Dhe gjithherë e mbyllte fjalën e tij me një siguri të hatashme: ” E mbaj mend si sot, sikur të ketë ndodhur sot…” Një ditë prej ditësh, nipit Artion i erdhi në majë të hundës nga këto kujtimet e gjyshit dhe, ashtu, në nxitim e sipër, ndërsa po hanin darkë në verandën e shtëpisë i tha: – Na enjte barkun me këto kujtime o gjysh! Pa më trego një betejë ku luftove ti vetë. Ama ma trego siç të tregoj unë sa makina lava sot me zorrën e ujit…Ma trego fill e per pe… – Ta tregoj unë. Mos u përpush, o evlat. Kam luftuar unë. Pse kot ma jep mua qeveria jonë shtesën e pensionit si veteran i luftës – Shtesën ta japin ata që të blejnë votën, ata e dijnë pse ta japin. Por ti ke qenë vetëm dhjetë vjeç kur bëhej luftë…Kështu thotë pasaporta ku e ke të shënuar datëlindjen. Me çfar luftoje ti o gjysh? Me shurrën që e bëje në brekë? – Jo jo, isha korrier…Në betejën e Qafës së Vigut , kam luftuar edhe me pushkë…Ka qenë një mot i keq atë ditë. Binte një shi me gjyma…Forcat tona kapën lartësitë e kodrave dhe i dhanë një goditje vdekjeprurëse nga krahët okupatorit. Aty e humbi syrin komandant Hakiu… – Po ti vetë qëllove me pushkë, apo jo?- pyeti nipi – Unë vetë, isha korrier. Unë çova haber në fshat se Hakiu u qorrua…E mbaj mend si sot, të bëj be për ideal të Partisë…Hakiu vdiq vonë. Ama një shkresë e la për mua, një shkresë që thotë se kam marrë pjesë në betejën e Vigut. Me atë shkresë unë e kam marrë shtesën e pensionit si veteran lufte… – O gjysh- nga gjithë sa thua ti unë besoj vetëm një gjë. Që atë ditë ka qenë ditë me shi… Edhe dje qe dite me shi, dhe, kurrkush nga zengjinët e rinj nuk erdhi ta lante makinën me zorrën time të ujit… Por, kjo nuk do të thotë se pas shtatëdhjetë vitesh unë të shpallem si veteran i larjes së makinave, për një ditë, kur makinat i lau shiu… Si tha këto fjale, Artion Morina u ngrit nga tryeza.Gjyshit i ra një pah i verdhë në fytyrë si pas një beteje të humbur me nipin… Artioni shkoi në kuzhinë dhe mori tufën e luleve që kishte blerë për Angelën .Pastaj shend e verë u nis ta takonte atë tek pylli i meshteknave të reja në skaj të qytetit. E kishte bërë një betejë me gjyshin dhe thellë në shpirt e ndjente se e kishte fituar. E priste një puthje të zjarrte prej Angelës. Dhe prandaj gati sa nuk fluturonte rrugës drejt saj…