Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Mbi njëmijë lezete ti m’i ke mbi krye

(Lirikë)

Se ç’ma pi kafenë, si një zonjë e rëndë,
buzëqeshjen në buzë e këmbën mbi këmbë.
Buzëqeshjen mbi buzë ,mbi dorë mbështet kokën,
me dy sytë e tu ke pushtuar botën.

Sigal

E pushtove botën fare pa ushtri,
krijove një tjetër veç për dashuri.
Këtë botë të re e mban krejt për vete,
se më ke mbi krye mbi njëmijë lezete.

Mbi njëmijë lezete m’i ke përmbi krye,
me aromën tënde ndez edhe fik yje.
Ndez edhe fik yje vetëm me një fjalë,
edhe më rrëshqet si Vjosës një ngjalë.

Si ngjalë e si troftë më rrëshqet mbi duar,
të lutem ,të lutem qëndro e uruar.
Rri pak e uruar mos më ik si dallgë,
sa të ti puth sytë e ndoshta mbaj vlagë.

Ndoshta e mbaj vlagën nga puthjet e tua
dhe në këtë botë puthje tjetër s’dua.
Dhe në këtë botë jo nuk puth më tjetër,
se kjo puthja jote quhet kryevepër.

Quhet kryevepër se e shijoj unë
dhe më nuk më duhet e hënë a e shtunë.
E hënë a e shtunë nuk më vjen të iki,
vetëm që je larg e nuk shtyhet viti

Jo nuk shtyhet viti nuk shtyhet as ora
dhe vargjet kur shkruaj zë më dridhet dora.
Zë më dridhet dora,mëndja harakate
dhe më duken fushat pallat me dhjetë kate.

Pallat me dhjetë kate duket dhe pasqyra,
sa po ti hedh sytë si diell fytyra.
Ndrin e gjithë fytyra ,ndrin dhe shpirti i tërë,
për ato dy vetulla si një bisht gërshërë.

Si një bisht gërshërë,si lule Dhëmbeli,
mëndja edhe syri veç atje më ngeli.
Se ç’ma pi kafenë o këmba mbi këmbë,
fustanin mbi gju ma mban një pëllëmbë.

Mbi gju një pëllëmbë fustanin o lule,
kush të vështrojë ty e në gjunjë se ule.
Kë s’ule në gjunjë,kë nuk le pa mëndje,
sa të shikoj ty kam një tjetër gjendje.

Kam një tjetër gjendje më je zonjë e rëndë,
këpucët me taka m’i mban dy pëllëmbë.
Takat dy pëllëmbë ti o bukuri,
po s’të putha unë nuk ka perëndi!