Suplementi Pena Shqiptare/ Remzi Gjika: Ne fituam, ju fituat, kush humbi ?

552
Është në sedrën njerëzore, që çdo punë që nisin duhet ta realizojnë dhe të fitojnë: të fitojnë kohën, të fitojnë para, të fitojnë pushtet. Duket, kjo e fundit është e veçantë, se ka të bëjë me një ndjenjë të vjetër të njeriut, për të fituar mbi tjetrin e për të pasur pushtet mbi të. Në kohët moderne kjo është bërë më e egër. Njeriu ka shumë mjete në dispozicion, e në fund të fundit është fisheku i mbramë: përdorimi i forcës, pa llogaritur viktimat. Pa hyrë në histori, se është fjala për luftën elektorale si e vetmja alternativë në një sistem demokratik. Epo, mirë, normale është ndofta: Partitë shpallin objektivat që të çojnë në “parajsë”, po fituan! Njerëzit i shikojnë në sy “magjistarët” dhe shpresojnë të ndryshojë gjëndra e tyre ekonomike, të rregullohen pensionet, pagat, së paku rruga ku kalojnë përditë. Fillon lufta elektorale, e cila është vërtet luftë nga agresiviteti i palëve, me dhunë verbale, por kujt i kruhet edhe fizike.” Po të fitojmë ne do të bëëëjmë….”, “Po hoqëm qafe këta që janë do të bëëëjmë”… -Çelua, pak hokatar, në një takim, u ngrit e ia plasi:- Po, pse nuk i kini bërë? Ne pa ujë e drita kemi 25 vjet! – Po, strategjia jonë është t’u japim zgjidhje njëherë e gjithmonë, -iu përgjigj zëri i Dritës. – Bravo! – i erdhi në shteg kandidatit. Pala tjetër që i ishte tharë goja e xhepi, kishte mbledhë gjithë forcat: – Po kë beson o popull, ata gënjeshtarët?! Çelua që hiqej i depolitizuar kulmoi prapë: – Po ju na i thatë këto edhe para katër vjetësh, si duket e kini shkundur fletoren nga pluhuri dhe po na e lexoni përsëri?! -Po, jo more zotëri, mos e çorodit elektoratin! Këtë punë bëje ti në çdo mbledhje. Dekonstrutiv!! Ti më duket je nga ata sigurimsat, që hedhin gurin e fshehin dorën,- plasi sherri, ndërçastesh. Gjë e papëlqyer, por s’kishe ç’të bëjë? Vajti puna te kutia. Njerëzit tundnin kokën t’u venin mendimet në vend dhe u nisën për në qëndron e votimit, me dyshim gjasash, çdo gjë ekzistonte në fushën e lojës. Numëro e numëro me dorë gjitha ato fleta si gjethe fiku, komisioni shpalli rezultatin: Partia në pushtet i mbathi këpucët, mori një milion shuplaka, thuhej në deklaratat për shtyp. Fituesit kishin për të thënë shumë për fitoren, por për modesti e mbajtën frerin e euforisë, se e dinin që gjenin sahanin bosh, si historia e fiseve skithe, që u vinin zjarrin stepave që persianët të dorëzoheshin. Njerëzit dhe e kafshët të ngordhnin nga uria, në u shpëtofshin flakëve që i rrethonte nga të gjitha anët. Po pse dorëzoheshin humbësit?! Dështaku nuk i hapte çelësin, sipas të cilëve kishin fituar ata e jo këta…Ato vota ishin ishin të vjedhura, e me miellin e vjedhur nuk bëhet buka e pushtetit, se të helmonte popullin: qiqra në hell… – Po si paskemi vjedhur, mos na ngatërroni me veten tuaj? Ne fituam me diference dyzet për qind. Hëngrët një milion shuplaka. Nuk u dhëmb fytyra, apo e keni shollë? -I hëngrëm por nuk u përkulëm fituam! Edhe të durosh, është fitore! -Pse nuk i thoni popullit: Na falni alternativa jonë dështoi! Pas këtyre gjasave, hiq e mos e këput, sherri midis palëve u bë litar. Deputetët e secilës palë argumentonin e orvateshin që asisoj, të mbanin në qendër elektoratin, për të mos u fluturuar zogu nga duart. Për shembull një politikan shpjegonte në këtë mënyrë: “ Kemi një vezë, atë e hëngra unë, ti çfarë hëngre, glasën?… Kur fitova unë, ti çfarë fitove, humbjen? Jep e merrte politikani fitues, por nuk u mbushej koka humbësve. E kuptonin si dhelpra, kur nuk arriti të hajë rrush se e përzunë, u tha shoqeve, kur e pyetën: -“Ç’ta haja?Ai ishte i papjekur, si uthull!”… Njerëzit poshtë përsëritnin lodhshëm: “Ne fituam, ju fituat, kush humbi?”


Sigal