Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Zija Vukaj: Reflektim/ Në paradhomën e poetit Mjeda

139
Sigal

 

(Akoma jemi në paradhomë- pothuajse krejt i pastudiuar si poet).

Për të kuptuar poetët tanë të traditës, duhet të vështrojmë në burimet e tyre të frymëzimit dhe të vëzhgojmë mjeshtrat nga u frymëzuan, për ta përsosur artin e tyre poetik. Ndre Mjeda është i vetmi poet shqiptar, që meriton të quhet neoklasik. Talentit të tij të pazakontë iu bashkua erudicioni i një individi faustian dhe ndikimi i korifejve të neoklasicizmit italian e më gjerë. Kur lexon kumbimet muzikore të simfonive poetike të Mjedës, padashur të jehojnë këto mendime të poetit kombëtar (vate nazionale) Gabriele d’Annunzio mbi vargun poetik: “Një varg i përsosur është absolut, i patjetërsueshëm, i pavdekshëm; mban në vete fjalët me një ndërlidhje diamanti; e mbyll mendimin si në një rreth preciz, që asnjë forcë më nuk arrin ta thyejë; bëhet i pavarur ndaj çdo lidhjeje e çdo sundimi; nuk i përket më mjeshtrit, por është i të gjithëve dhe i askujt, si hapësira, si drita, si gjërat imanente e të përjetshme. Një mendim i shprehur saktësisht në një varg të përsosur është një “mendim i paraformuar” në thellësinë e errët të gjuhës. I nxjerrë nga poeti, vazhdon të ekzistojë në ndërgjegjen e njerëzve. Poeti më i madh është, pra, ai që di të zbulojë, të zhvillojë, të nxjerrë një numër më të madh të këtyre paraformimeve ideale. Kur poeti është pranë zbulimit të një prej të tilla vargjeve të përjetshme, është i paralajmëruar nga një rrëke hyjnore gëzimi, që ia pushton papritmas gjithë qenien.” (Nga romani “Kënaqësia” D’Annunzio”- përkthimi im, 2008, fq 168). Ndërsa Mjeda bashkon me një guxim të frikshëm tri arte bashkë: poezinë, muzikën dhe pikturën; dhe ja, nga “Andrra e jetës”; një diktat ritmik i destinuar për një lexues me vesh të brendshëm muzikor; gjithçka e intonuar, gjithçka e vendosur në tonalitetin përkatës. Për ta interpretuar duhet doemos pentagrami dhe tri duar: dora e poetit, e piktorit dhe e muzikologut.

“E kandshme asht hana,

kur del me zana,

e n’tokë me dritë përndaret.

Hyjzit që shndrisin

e që shetisin

n’për qiell janë t’bukur faret.

Kur del agimi

e rruzullimi

me j’dritë kuqloshe mblohet.

E përmbi kashta

shndrit’ pika lashta,

zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi

kur ndihet shpendi

ndër pyje tuj pigrue.

E knaqshme aj’ lule

kur ju përkule!

O fllad i lehtë me e lmue.

Por s’i ngjet qielli,

nuk i ngjet prilli

as fllad që shëtit lulet

e me erna veshet,

foshnjës që i qeshet,

nanës, kur mbi të përkulet.

E gjitha kjo “arie” poetiko- muzikore, mbushur me dashuri njerëzore dhe frymë biblike, duket si ilustrim i pikturës së famshme të piktorit të Rilindjes italiane Cesare da Sesto (1477- 1523) “Madona me Fëmijën Krisht”.