Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Në supet e fabulave të Izet Çullit

80

NË  SUPET E FABULAVE TË DR.HENRI MARSH-IT

Prof.Dr.BARDHOSH GAÇE

“Mjeshtër i Madh”

Izet S.Çulli një nga poetët dhe shkrimtarët e njohur bashkëkohorë,ka shkruar dhjetra libra artistikë për të rritur dhe fëmijë në gjini të ndryshme letrare.Po fusha ku ai spikat më shumë është ajo e humorit dhe e satirës, sidomos në fabula dhe epigrame.Vetëm në këtë lloj krijimtarie, ai sot paraqitet rishtas me librin e dytë me motive nga  neurokirurgu i shquar anglez, Henry Marsh.I pari me titullin dygjuhësh “Every day is worth”(“Çdo ditë e vlen”) në dy botime(2018,2019) dhe ky i tanishmi është “Empathizing with  the  paceint’s  pains”(“Më dhemb dhembja e pacientit”). Në këtë të fundit ,shtjellohen  disa nga mendimet dhe përsiatjet që ka dhënë dr.Marsh-i në mediat shqiptare dhe sidomos në veprën e tij “Rrëfimet” (“Admissions”, Tiranë, 2017).

Ky botim përmban  mbi 110 fabula dhe epigrame, ku shpalosen ide të protagonistit të mëlartëm anglez, në të cilat shprehet humanizmi dhe shqetësimet e shumta  të kohës në punën e përkushtuar të mjekëve dhe gabimet  e mundshme të tyre që hasen gjatë ushtrimit të misionit  të kësaj armate fisnike.

Jam i mendimit se është e tepërt që në këtë paraqitje të shkurtër, të bëj ndonjë analizë të kësaj vepre të re të I.Çullit, por le të  përmend këtu  vetëm disa  nga titujt e këtyre fabulave, të cilat nuk kanë nevojë për koment.Ato flasin vetë:”I sjellshëm, i përkushtuar”, “Kuleta”, “Privilegj dhe privime”,”Guximi dhe siguria”,”Modestia”,”Ah, këto mbledhjet!”, “E reja çan përpara”,”Piloti dhe kirurgu”,”Dështimet dhe sukseset”, “Humanizmi” etj.

Kjo botë e thellë poetike e këtij autori  pikon nëpër frymëzimin e tij, ashtu e natyrshme, sepse  ai di të gjejë detajet dhe përgjithësimet poetike, duke përcjellë edhe mesazhe për kohën dhe njerëzit. Fabulistika  e Izet Çullit,ashtu si ajo e Çajupit,Spiro Çomorës,Nonda Bulkës, Dionis Bubanit, Ferit Lamajt,Gjikë Kurtiqit dhe shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, përcjell tek lexuesit, njëherësh, edhe  një humor fin,të shëndoshë e të mençur, që buron nga visari  popullor i Labërisë.

I urojmë suksese të mëtejshme autorit në këtë gjedhe sa të bukur dhe të vështirë, e cila kamxhikon pa mëshirë veset dhe ligësitë që shfaqen në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore, edhe në kohët tona moderne.