Përfytyrimi i amfiteatrit gjithmonë më jep ndjesinë e nje hapësire ku fjala nuk humbet në eter, por le një jehonë që është përtej kohës, përtej dobësisë së njeriut dhe ka ngjyrë të bardhë si mëndafshi. Ndaj lajmi që mora nga edicioni i 28-të i manifestimit kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, ku poezia ime “Ditë pa mëngjes” u vlerësua me çmimin e parë, më gëzoi edhe më tepër, sepse këto vargje u interpretuan e ndoshta ende kumbojnë në amfiteatrin e mbushur me poetë.
Falenderoj nga zemra krijuesit dhe miqtë nga Kumanova, Fatos Rushitin, kryetarin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” të cilin kam pasur kënaqësinë ta takoj në “Netët korçare të poezisë”, poetët Nehas Sopaj, Mumin Zeqiri, Bejtush Mehmeti, Arben Ibrahimi e shumë poetë te tjerë që i çmoj dhe i dua, e që kanë qenë të ftuar dhe janë përfaqësuar denjësisht në qytetin e Korçës, si dhe jurinë e këtij festivali poetik dhe të gjithë poetët që ishin pjesë e këtij edicioni.
Miq të dashur, mua më pëlqen të mendoj se gjithmonë poeti banon brenda një shpirti që nuk vdes dhe poezia edhe në realitetin e sotëm e ka një logjikë të sajën, poezia është liri, rebelim, por edhe gjuhë intime e zemrës, diell e dashuri. Ndaj me këtë të fundit, me dashuri, po ndaj me ju poezinë “Ditë pa mëngjes” që u vlerësua nga juria e aktivitetit këtë vit:
DITË PA MËNGJES
Dita lindi por pa mëngjes
Më kot e prita diellin që të vinte,
Jam ulur në një stol
Dhe nuk e di kë po pres,
Nuk e di pse erdhi ai që po ikte!
Sa ngadalë lëvizin akrepat e orës,
Sikur të jenë të sëmurë të tre!
Ma jepni pak pëllëmbën e dorës,
Dua të lexoj kohën që m’u fsheh!
Por mos më thoni që nuk është e mundur
Që s’mund të ketë ditë pa mëngjese,
Brenda pëllëmbës sime dielli rri i strukur,
Sikur ka frikë prej njerëzve!
Do desha tani të ishte mëngjes,
Por edhe ai si dielli fshihet,
Prapë m’u ftoh kjo kafe ekspres,
Dhe kur do ta pi, nuk dihet!





















