Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi: Skënder Rusi

167
Sigal

Pushtimi i Botës

Unë me ty do të pushtoj botën:
jo si dy zjarre që marrin hak,
por si dy njerëz me të njëjtin fat!
Asgjë më tepër,
Asgjë më pak!

Sa të rëndë që e paskam kokën,
sikur ma kanë mbyllur me kapak.
Ne të dy do ta mposhtim botën,
Asgjë më tepër,
Asgjë më pak!

S’ngatërrohemi me mediokër,
dhe kemi për të shkuar shumë larg!
Ku çdo njeri vlen sa kjo botë,
Asgjë më tepër,
Asgjë më pak!

Mos u habitni që vetëm nxitojmë!
Jemi stuhi, jo vetëm fllad.
Një botë të re ne po ndërtojmë;
Asgjë më tepër,
Asgjë më pak.

Dëbora blu

Kërkoj të futem brenda syve të tu,
dhe kjo me asnjë kusht, natyrisht.
Përjashta po bie dëborë blu,
nuk është dëborë po shpirt!

Trokas në portën që atje më shpie,
tek sytë e tu të mëdhenj.
Bie dëborë blu, vazhdon e bie,
është shpirti im që dhemb!

Brenda syve të tu edhe unë
kërkoj pa asnjë kusht që të hyj.
Por ah, ky qiell rëndoka shumë,
më lodhën yjet që me dorë i shtyj!

Kërkoj të hyj brenda syve të tu,
paçka se e kam të vështirë
të të them: Të dua,
Ti edhe qerpikët i ke hedhur në luftë,
I mbyll ata që mos më shohësh mua!

Unë dhe kitara që binte vetë

(variant 2)

Unë të thërras ty në emër
dhe kitara bie vetë papritur.
Telat e saj si asnjëherë tjetër
e mbushën dhomën me tinguj.

Unë të thërras ty në emër
dhe rruga mbushet me jargavanë.
Nuk e di kush e ka pasur fajin
që nuk u dashuruam ne më parë!

Unë të thërras ty në emër!
Një botë të tërë timen ke pushtuar.
Kitara bie papritur vetë,
sjell një akord të çakorduar!

Unë të thërras ty në emër,
dhe kitara bie vetë, pa e prekur!
Unë jam në studion e saj, në zemër,
edhe i gjallë edhe i vdekur!