Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Xhevahir Spahiu

360
Sigal

Xhevahir Spahiu

FJALA

I thane fjalës: tani je e lirë
Po fjala s’ kish fuqi t’u thosh : nuk më duhet
E c’ më duhet
kur s’ u thashë atëhere kur duhet?
Kam mbetur pa krahë ,
Kam mbetur pa qiell,
Jam jetë pa ëndërr,
Jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë
Vështirë, tha fjala sa vështirë
Të besosh se je e lirë;
Pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
Pasi ke mbetur cung
Dhe liria bëhet burg .
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu :
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton
I thanë fjalës: ti je liria
Për ta kuptuar këtë duhet fare pak
Ajo e besoi,
Ajo hapi gojën,
Por në vend të tingujve
Prej saj doli gjak.