Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Ahmeti: Kjo natë e zezë kafshonte hënën

262
Sigal

Dhe natë e zezë kafshonte hënën

trupin i përpinte bashkë me dritën.

Yjet trembur si fëmij’ kërkonin nënën.

Ti aty në stol rrije bashkë me frikën.

Nata trupin me fustan të zi mbulonte.

Kështu të mbuloja unë me sytë e mi!

Era apo zemra kurmin ty të drithëronte,

sonte nata mbuluar ti kish dy sytë e zinj.

Shtatit vash t‘u derdh pelerina e natës:

pëlhura e zezë mbulonte hiret e tua.

Në dritëzbehtën shoh sytë e vashës,

si dy yje ndrijnë mëngjesit pa aguar.

Dhe hëna iku sonte pse na la vetëm?

Mos dritën e saj e mbuloi vellozeza?

Sytë e vashës si qirinj çastit u ndezën,

e vasha sonte s’më dukej si kalogreza.

Dritë e agut të parë largoi vellozezën,

fytyrë e vashës mërzitur s’qe nga pritja.

Mbi flokët e zez kristale nata i la vesën

Dhe, unë si rreze në sytë e saj sa mbërrita.

Dhe trupi saj lastar ngrihet në këmbë,

sy e flokë të zinj fustani trupit lëshuar.

Buza ime me të saj puthjen bënë këngë.

Ikëm me agimin, stolin, e lamë prap vetmuar.