Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Kalatë e gjuhës

27
Sigal

Kalatë e gjuhës

Unë shkoj me mend gjer në Alaskë

e zbres me vrull gjer në Mesdhe.

Kërkoj një shteg e dyert hap;

dëgjoj shumë gjuhë me fjalët-det.

Larg, në Tamiz, takoj Shekspirin.

Ndal në Firence ku Danten shoh.

Dëgjoj një nënë që i flet birit

e shoh një gjysh që ledhaton.

Në Senë ku ngrihet Kulla Ejfel

takoj Balzakun fjalë-oqean,

E mençuria sërish merr jetë

e sytë plot dritë tek unë i mban.

Me ta flas ngrohtë e prapë përgjigjem

me shqipen tonë kaq të lashtë

për gurë kalaje e shkolla shqipe

jam kaq i lumtur dhe krenar.

Më vijnë ndër veshë me dhjetra gjuhë

e flas, e hesht, fjalorët hap.

Shpalosen qiejt si erë me vrull

e mençuria krahët hap.

Po shkoj me shokë gjer larg te Poli

e vij me ta prapë në prag.

Më ngrohet fjala në dallgë Joni

kur duar miqsh pafund i zgjas.

 

Lutem për ty, kombi im!

Lutem për ty, kombi im!

Ani se diellin duan të ma fshehin retë.

Ani se shumë herë pemët mbeten pa vjelë.

Ani se fushat nuk kanë bujq për të mbjellë.

Ani se odat duan mentarë të tjerë në tryezë.

Lutem për ty, kombi im..

Me vargun që brishtëzohet në qiejt e hirnosur

Me dritën që shpesh mungon mes sofrës.

Me lotë që pikojnë qerpikëve të lodhur.

Lutem për ty, kombi im:

Për netët ku jastëku ndahet te shtrati.

Për djersën që rrjedh si përrua te balli.

Për hapin e hedhur në tokën e çarë.

Për bukën e furrës më dysh e ndarë.

Lutem për ty, kombi im:

E s’më mjafton jehona e këmbanave,

e s’më mjaftojnë thirrjet e ezanëve.

As sytë e uritur për libra të fëmijëve,

as urimet e nënave në pragjet me bekime.

Lutem për ty, kombi im:

me sytë nga Otrantoja ku çelin lulet e hedhura.

Me duhma tërmeti që hapin plagë në zemra.

E jo me tribunat ku sherrohet fjala!

As me librat e mbushura dingaz me përralla.

Lutem për ty kombi im:

Për netët ku sytë janë të përgjumur.

Për traun e fundit që ka mbetur pa u shkulur.

Për ngrohtësinë e syve në përcjellje agimi.

Për petalimin që bën të riçelë trëndafili.

Lutem për ty, kombi im!

Lutem!