Kundro, i dashur, pluskun e luleve të erës,
buzën e bletës mbi bulbin e sythit!
Dëgjo nanuritjen e qelibartë të pranverës,
nga rrjedh gjallshëm fryma e Krishtit!…
Ato do të vijnë e do të ulen në shpirt,
duke mërmëruar heshtur sagën e jetës.
Për të kuptuar se energjitë, s’janë shuar tërësisht,
zgalemi i stuhive fërfëllon krahët e shpresës.
Ashtu si zogjtë e pyllit, kapen në grackë,
jemi zënë në lakun e kobshëm të kësaj kohe,
si gjarpri nën gur, vuajmë të dy bashkë,
si minj të hirtë, trandemi nëpër mure dhome.
Por mbrëmjeve shpirti çel lule akshami
mbledh në hinkë lotët e pranverës,
shpërthen gjethet heshtë të lule balsamit,
dhe godet botën në lugthin e zemrës.
Kur thua: Jemi dy zemra lidhur në një rrëfajë,
s’ka ç’na bën ne, kjo kohë mizore!…
Mua më rrjedhin lotët rrëkajë, rrëkajë,
si të jem përrua i ushqyer me ujë dëbore.
Në shpërgënj dashurie, ku shërohet njerëzimi,
kryqëzohemi të dy, të shpëtojë bota përqark.
Fllad ere jam unë, për sytë e t’u me vezullim agimi,
diell parajsor je ti, për shpirtin tim binjak…
*plusk/ pluhurizë pjalm. *rrëkajë/rrëke
*rrëfanë/vesh,vjegë.
Në buzët e mia gjen shërim
Lulja e lavdisë së mëngjesit, çel në buzët e mia,
ëmbëlsia e agimeve, rrjedh aty pa zhurmë,
gurgullima e krojeve, të dehë me fëshfërima,
vesa e gonxhes së pambukut, nga gjumi të shkund.
Kur guxoj e mbjell ndjesi, mbi buzën mishtore,
ti i korr me drapërin e ndjenjave shpirtërore,
kur magmën e buzëve, shtrydh deri në ekstazë,
dalldisur psherëtin sipër buzës së afshtë:
Dua të shkrihem buzëve të tua, që të gjej shërim,
si pjalmi pranveror, buzëve të verës në vlim,
asnjë fllad të mos fryjë,që të mbetem përjetë aty,
lidhur pazgjidhshmërisht, me fije afshi me ty.
Ashtu si ulliri i egër, që shartohet me ulli të butë,
shartomë me trëndafilin, që flladitet në buzë,
mbillmë në tokën e lumturisë, të bleroj dimër, verë,
në mbretërinë e joshjes, grua e dashuruar të jem.
Eliksir i buzës sime, përtërin te ty djalërinë,
si vesa e ngrohtë, sythet e pemëve në zgjim,
përkëdhel buzët e tua, që të gjesh shërim,
rrënjë të hedhësh, në luadhin e shpirtit tim.
Copëza dashurie në valë varfërije
Kur buza jote puthëron mekur,
gjirin ma kafshon një ulërimë,
se klithmës së mjerimit janë tretur,
sytë e tu blu, në dëshpërim.
Se tek shket mbi mua heshtur,
përpëlitesh buzës me brengë,
shkon e vjen bardhësisë pareshtur
i trishtuar kërkon një shteg.
Dhe sakaq vetes, i flet në emër,
tek mbytet humnerës në terr,
vellon e vuajtjes, që rri në zemër,
me dallgë zemërimi e çjerr.
E, në valën e varfërisë, me mjegull,
përpiqesh të rilindësh si burrë,
përmbi valë zambak mbinë pezull,
mbinë aty, ku s’ke mbirë kurrë.
Kur buza jote puthëron mekur,
gjirin ma kafshon një ulërimë,
se klithmave unë dhe ti jemi tretur,
në copëza dashurie pa mbarim…






















