Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Ahmeti: Ai më donte…

Ai më donte në një mënyrë të hatashme…
Dhe kishte zgjedhur natën për mua.
Atëherë më thërriste të më shihte.
Asnjëherë nuk më tha “të dua”.
Por, “Do të vdes, po nuk të pashë”,- më thosh.
Dhe çante errësirën me hapat e mëdha.
O zot, sa i vishej errësira!
Dhe sytë e tij ishin prej saj.
Ishte i përbërë prej horizontesh të kashtisura,
prandaj dhe dëshirat i shtypte
derisa në mbrëmje i krisej boshti,
dhe dilte nga vlugu i ditës së mbaruar,
si një dragon për oksigjen dhe mjegull.
Nuk e di as sot nga i vinte ai përmallim i çmendur.
Asnjë çast nuk e shqiste dot mendjen prej meje.
Po të dilja ditën, e gjente menjëherë ku isha.
Po mos të dilja natën, ulurima e tij trondiste lagjet.
Kapërcente kangjellat, dritaret, pragjet.
Nuk e di a dilja se e doja,
apo gjumin e njerëzve të mbroja…

Ëarmth

 

Sigal

Ngrohtësi, sa e mirë je, sa i mirë
trupi i ngrohtë pranë një trupi të ngrohtë,
Fryma e ngrohtë, Sa e ngrohtë je, më tha Antuani,
Ai vetë ishte si një bukë e ngrohtë.
Ndryshojme nga trupat e ftohte.
Kam kohë që mendoj për një çikë ngrohtësi
Vazhdoj të mbetem e ngrohtë ndërsa mendoj për të.
Ato pështjellat e ngrohta brenda lëkurës dhe rrobave
aty te gjoksi, nënsqetullat e ngrohta, barku i ngrohtë.
Si te mos besoj te ngrohtësia që më vjen si dhuratë nga përteji
te brenda, pastaj e ndjej përreth si unë…
Nga gjithë ç’kam jetuar e përjetuar
ngrohtësia më mbajti shpirtin
një gjë kaq e mirë dhe po aq e dhënë
Gjithë çmund të humbësh e rimer më mirë
po nuk humbi ngrohtësia.
Mbahem te ajo që më jep, o mëmë,
o natyrë, që më zgjodhe për të qenë e ngrohtë!
Dhe ja tani mbështillemi bashkë këtu
në dobësinë e ngrohtë të forcës sonë frymuese.
Dhe është ngrohtë kur ngrohim njeri tjetrin, është…
edhe pse harrojmë ta. Harrojmë.