Ti ike një ditë…
Ti një ditë m’i ktheve krahët,
patjetër shpejt do të të harroj,
asnjë luledele pikturuar
s’më le zemrës që të të kujtoj.
Treni që të sillte me uturimë
s’ia dëgjoj më sirenën e nëmur,
u vithis krejt ai stacion,
gjithçka brenda tij është shembur!
Të dy ishim futur si në një lojë,
hidhur ia shihnim fundin në sy,
veçse në lojë njëri është fitues,
ndërsa ne, fituam që të dy!
Ti ike një ditë m’i ktheve krahët
as që bëhet fjalë për ty të lotoj,
udhëve të mia që sot po shkel
në asnjë segment s’mund të takoj!
Ti ike larg meje, ike turravrap
pa një lamtumirë te dera…
Mirë bëre, s’më duhet një burrë
gjethe që fluturon nga fryn era.
Vjeshta
Vjeshta gjethet
ua rrëzon pemëve
dhe në togje – togje
i mbledh me aq mall.
Mirë që ikën e hutuar
dhe s’i merr me vete,
po “Faturën tatimore”
pse nuk e pret vallë!?
Vjen dimri i sekuestron:
“Evazion fiskal!”




















