Suplementi Pena Shqiptare/ Lulzime Malaj:  Kryevepër unike

67
Sigal

 

 Kryevepër unike

NOA

 

Kanavacës i derdh nuanca, tone…

po ti prapë, as e qeshur, as e trishtuar,

je kaq etruske, kaq mistike,

ma shton etjen për të të deshifruar!

Buzëqeshjen davinçiane si ta pikturoj

kur s’gjendet as në simbolet antike?!

Mona Lisa në ç’mënyrë mund të tregojë

për buzëqeshjen e saj enigmatike!

 

Derdh gjithë të verdhën e Van Gogh-ut

të zezën pështjelluese të Kafkës mbi flokë,

por nga ajo që duhet, janë larg vite drite,

vallë hyjnoren lart në qiell e kërkoj në tokë?!

 

E hutuar tentoj sërish një retushim,

punoj plazmimin, linjave formë u jap

dhe pse më tundon je kaq e pamundur

ndaj natyrisht, e prish prapëseprapë!

 

Në studio ecejaket e mia çmenden,

të pikturoj mrekullinë s’mundem dot,

unë veç ëndërroj buzëqeshen tënde,

ti mbete kryevepër unike në botë!

 

 

 

 Ajo…

 

Stuhia ulërin xhamave sonte,

imazhi saj tejdukshëm laget në shi,

rrëzëllen si gravurë nën një neon,

ku do të jetë vallë ajo tani?!

 

***

Befas m’u shfaq shkallëve të teatrit…

një ditë me të bruztën dekolte,

ngrohej hapësira me qeshjen e saj,

sikur t’i zinte diellit vendin atje!

 

Ajo më vinte kufirin te thana, po

unë ia puthja gjurmët me dëshirë,

ajo ish si t’i tregosh arat babait,

s’bëhej fjalë ta lidhje me zinxhirë!

 

Ajo kish bukuri krejt natyrale,

buzë të mjalta, flokë prej ere,

krizantemë që ngatërronte stinët

që shpërthente dhe në ditë pranvere!

 

Sytë e saj dy pyje të gjelbërt,

fytyra – porcelan i farfuritte!

Joshur e pija në një gotë kokteili:

një recetë e thjeshtë, që ngrinte mite!

 

Si të isha i rrjedhshëm pa qendër rëndese,

rrotullohesha rreth saj si satelit!

Ajo ish një yll me aurë të magjishme,

zbritur në këtë planet gabimisht!

 

Edhe kur flinte takat e saj trokitëse,

rrezatonin heshturazi personalitet!

Befas një ditë u shndërrua në arie

me zërin e saj dhe takat instrument!