Suplementi Pena Shqiptare/ Lulëzime Malaj: Sikur mbaj

188
Sigal

Sikur mbaj hallet e gjithë botës,

siç mban qielli supeve retë, si thas’!

Për këtë s’di se me kë të zihem,

që as të më flasi dhe as t’i flas!

Sikur kam mbledhur gjithë brengat,

dal’ nga honet, po memece – pa goj’,

është si të shihni majën e ajzbergut,

po trupin jo, ka turp ta tregoi!

Sikur kam mbledhur gjith’ dhimbjet,

që çajnë spirancat fundin e detit,

se s’jam “Titaniku” që në një çast fatal,

u shtri përfund streh’ për peshqit!

Megjithatë, ju më shihni që buzëqesh.

Mos u mashtroni, atë e kam maskë!

Po ju them, se me fatin e kam inatin,

as dua të më flasi dhe as t’i flas!

Po mos mendoni se përkulem lehtë,

dhe në gurët e varrit kokën ta përpjek,

prapëseprapë do ngrihem në këmbë,

dhe gjithë të këqiat t’i çoj në dreq!

Veç për një gjë do t’i ngrija duart lart,

natyrisht, nëse do të ishte e mundur,

do të mbaja mbi supe krejt trishtimet,

që bota të ish ca e lumtur!

 

U kthye përsëri dimri

Hej dreq! U kthye përsëri dimri!

Gjith’ natën shiu sprajti që sprajti,

qepallave të çative rrodhi ujvarë,

a thua se qielli, aq e pati!

Në mëngjes mësova ç’kish’ ngjarë,

pse bënte tërë natën aq potere,

atij, i kish rën’ rrugës, njëra këpucë,

ndaj qante, si nxënës mbas dere!

Dhe iku hallakatur s’di se për ku,

kapërceu kalendarin e po bredh,

nuk po lë vend pa e kërkuar, dhe

nga inati, në prehër borë na hedh!

Iu thyen gjymtyrët nëpër suferinë

dhe këmba e drunjtë çative kërcet,

pastaj, pastaj vërshëllen e ulërin

dritareve, me arrogancën e vet!

Ai u kthye se i ka rënë njëra këpucë,

gjith’ ai burrë plak, lotët nëpër faqe,

po një dit’ të prilltë e gjeti më në fund,

nën një gëmushë, me manushaqe!