Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Loti që të kujton një glob

31
Sigal

(Romani “Banka e ankesave” i Zija Çelës, Onufri 2022)

Libri hapet me dy parathënie dhe të dy personalitetet e njohura të letrave shqipe, Mehmet Kraja dhe Rudolf Marku, shohin ngjashmëri të kësaj vepre me “Pallatin e Ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Duke qendruar në një linjë me ta, do ta perifrazoja si një rikontruksion të ndërtesës pesshekullore të trysnisë mendore osmane, me një fasadë me ngjyrat e shekullit të njëzetenjëtë dhe me vendosjen e tabelës së re “Banka e ankesave” ku klasifikimi i ëndrrave është tjetërsuar në klasifikimin e ankesave. Leximi i këtij romani mund ta çojë lexuesin në tri qasje të ndryshme reflektuese: fillimisht si një vepër e mirëfilltë artistike që nuk lind domosdoshmërisht nga përjetimet vetjake të autorit, pastaj si një traktat administrativ juridik, që për shkak të ndjeshmërisë së lartë popullore për administratën shtetërore si tejet korruptive, ky traktat bëhet vështirësisht i kapërdishëm dhe së fundi vjen çlirimi, kur nga brenda administratës një punonjës i dyzuar i hap udhë shpirtit të lirë dhe përpiqet që mekanizmat e ingranazhit burokratik t’i përshpejtojë në kahun e zgjidhjes së ankesave nga populli. Tashmë ka marrë përmasa legjendare zvarritja e problemeve që duhet të zgjidhen me rrugë gjyqësore dhe si alternativë për zgjidhjen e tyre ofrohet një hallkë ndërmjetëse që hallet i përcjell nga zinxhiri i zyrave brenda saj te instancat më të larta qeveritare, madje te vetë kryeministri. Pallati i Ëndrrave u shkrua në kushte të tjera, prandaj i vendosi ngjarjet larg Shqipërisë dhe thellë në të kaluarën osmane, kurse romancieri Çela ka gjetur një çelës magjik për të lëvizur me shpejtësi në kohë dhe hapësirë, mjafton përmendja e aksidentit te tuneli i Elbasanit dhe digjitalizimi i dokumentacionit zyrtar për ta vendosur veprën në bashkëkohësi. Romani ka një numër të konsiderueshëm trupash dhe karakteresh njerëzorë, por misionin e përcjelljes së mesazheve autori ua beson vetëm dy prej tyre: qytetarit Viron Merko nga pala e ankuesve dhe Dorjan Kasmi nga administrata e bankës. Në antitezë me Dorjanin e mirë qëndron Apostol Zamarini, përfaqësuesi arrogant i drejtuesit të institucionit, p/drejtori sepse firmoste në emër të drejtorit, po dhe ai vetë është nën hijen e dikujt tjetri dhe ai tjetri ka lidhje të drejtpërdrejta me kryeministrin. Në përsiatjet e Dorian Kasmit ai përcaktohet: “Ti ke kredi në qeveri, ti je toreador i fortë, ti mban shpatën e mprehtë në dorë.” (f.195). Është ajo marrëdhënie që herë shfaqet si zinxhir komandues e herë si hierarki raportesh që përpunojnë dhe deformojnë opinionet. Se çfarë raportesh krijon shefi me vartësit e tregon servilizmi dhe hipokrizia e tyre kur i vdes i ati, se si sahanlëpirësit depozitojnë të dhëna për karrierën “e shkëlqyer” të të vdekurit, për gradat e dekoratat, për “meritat” e gjyshërve dhe stërgjyshëve të shefit, të mjaftueshme për të ngritur një dinasti. Hipokrizia kulmon me hipjen mbi varret e të tjerëve për të parë dhe për t’u parë nga sytë e shefit, me malin e kurorave që nuk kish hapësirë për t’i vendosur, shoqëruar edhe me ca vëzhgime të tjera me atë që ndodh në ceremonitë e varrimit, pa e kursyer satirën therëse. Portreti i Apostol Zamarinit plotësohet edhe me vëzhgimin se ç’bën kryemiku kur i japin kokën e qengjit dhe duke e zhvendosur paralelizmin me bankën e ankesave. Autori skicon me detaje ngrehinën e Bankës së Ankesave: Seksioni i Depozitave Postare, Seksioni i Seleksionimit, Seksioni i Arkivit, Seksioni i Digjitalizimit të Dokumentave Arkivore dhe më pas do zbulohet se paska edhe një seksion të pestë, Seksioni i Skribëve me shkurtimin famëkeq SS që është më i rëndësishmi, sepse nëpunësit e atjeshëm janë mjeshtër të kaligrafisë dhe imitimit dhe i shkruajnë vetë letrat duke përdorur të dyja duart dhe duke retushuar tekstet që të mos dëmtohet imazhi i qeverisjes. Sikur të mos mjaftonin këto shtohet edhe një hallkë e re – inspektorët e terrenit, që zëvendësojnë postierët. Kjo bën që posteri dhe slogani “Ju flisni, ne ju dëgjojmë” të kthehet në një mashtrim të madh. Puna që fillon me zell e me bujë, arrin në pikën kritike të distancimit dhe shpërfilljes, entuziazmi kalon në apati, apatia në neveri. Ruajtja e bankës së ankesave me qen të mëdhenj Besdog të kujton qentë  e kufirit dhe rëndësinë e institucionit për ruajtjen e sekretit të funksionimit, kurse shtesa e një hoteli bashkëngjitur në shërbim të bankës të bën të mendosh për krijimin e një kaste të privilegjuar dhe njëkohësisht të kontrolluar ku lulëzonte ryshfeti sipas parimit: “Në atë gjellë që nuk ha unë, rëntë miu brenda!” (f.166) Se si janë udhëzuar specialistët të përpunojnë ankesat, është shembulli i qytetarit Brahim që ka ankesë për nëpunësin Agim. Ankesa duhet të përpilohet duke filluar me sukseset e merituara të dikasterit ku punon zyrtari Agim, pastaj të zbresë atje ku dhemb dhëmbi. Kjo të kujton formulën socialiste se “e përgjithshmja është pozitive.” Ingranazhet e bankës së ankesave dalin nga funksionimi rutinë kur duhet ndërhyrë që përgjigja për qytetarin Viron Merko nga 7 vjet me procedim të zakonshëm duhet të shkurtohet, pasi doktori i ka përcaktuar më pak vite jetë. Rrethit të parë korruptiv i duhet të ndërpresë harkun e tij duke ftuar në lojë sektorin e shëndetësisë, që duhet të japë një prognozë sikur pacientit Viron Merko i kanë mbetur vetëm gjashtë muaj jetë. Për hir të një procesi burokratik sulmohet jeta shëndetësore e dikujt duke ia përshpejtuar fundin dhe shërben si bazë njerëzore për të krijuar bankën e përfolur të rënkimeve. Dorjan Kasmi është beniamini i Apostol Zamarinit, madje ngrihet edhe në detyrë. Atij i kërkohen tri cilësi: nuhatje, vigjilencë, disiplinë, diçka e ngjashme me militantizmin komunist, por nuk mund t’i bëhen lëshime kur kërkon përmbysjen e procedurës për ankesën e qytetarit Viron Merko, një casus belli për pak dinjitet njerëzor. Largimi nga puna bëhet gojarisht për të mos patur në dorë një dokument për mbrojtje ligjore. Dihet pastaj ç’ndodh me ata që flaken nga puna në rrugë. Grotesku shkon deri te gjetja e silenciatorit për vetëvrasje. Por përtej sezonës ka dhe dritë sipas shprehjeve të urta popullore: “e keqja s’ka fund” dhe “ka dhe të këqija që vijnë për mirë” ilustruar me kalin e humbur dhe peshkimin me dinamit. Romancieri e ka ruajtur artilerinë e rëndë për faqet e fundit të veprës. Çfarë donte qytetari Viron Merko? I ati, Nadir Merko, drejtor i Rrjetit Kombëtar të Shpërndarjes së Librit, gjashtë vjet para përmbysjes së monizmit mendoi një skemë për asgjësimin e stokut të madh të librave politikë, por denoncimet e çuan para prokurorisë për veprime të qëllimshme, sepse ende nuk ishte tharë dheu mbi varrin e udhëheqësit. U dënua, po në një çast të procesit gjyqësor atij i shpëtoi goja dhe tha se e adhuronte udhëheqësin. Vironi e urrente tiranin dhe kishte hall se mos dikush “një ish-komunist zemërkatran, apo një bakall i demokracisë së sotme” mund të shkruante nëpër gazeta ose të fliste në televizione se i ati e pati adhuruar diktatorin dhe kjo për Vironin ishte “hapo dhe, të futem!” Ja formulimi gojor i ankesës para Dorianit: “Ju përgjërohem që, nëse ju vjen një ankesë denoncuese, jeni të lutur ta kundërshtoni, ta grini, ta asgjësoni. Ta bëni të paqenë në të gjallë dhe pas vdekjes sime.” Në fund Dorian Kasmi zbulon edhe Bankën e Rënkimeve: “Këto janë psherëtimat e të vdekurve, ofshamat, që i kanë marrë me vete dhe i kanë depozituar në varr.” (f.196). Kurse loti që del te syri i dikujt për rrëfyesin është një rruazë misterioze që meriton të marrë kuptim. “Ah, ai lot, loti që të kujton një glob, çfarë tmerri po të shkojë kot!” Kjo frazë përmbyllëse duket sikur e rifillon romanin nga e para.