Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Zjarri

545
Sigal

Jam zjarri i zjarrit tim, edhe
Më i hershëm se Prometeu.
Mos më shihni si hutinë!
U ndeza
Kur u ngjiz dheu.

 

Jam ushtari,
Që i binte bririt
Rrotull zjarreve pagane.

Me Teutën verë kam pirë,
Vallen hoqa mes taulantëve.

Dolli ngrita me ilirin Bato,
Me suljotët isha tamburxhi.
Shpuz’ e flakë
Nëpër mote,
Gjersa mbërrita këtu tani.

Jam zjarri i zjarrit tim,
Më i lashti i këtij dheu.
Mos më shihni
Me habi!
Linda më parë se Orfeu.

 

Jam zjarri i Shqipërisë,
Purpuruar brez pas brezi,
Mbi këtë tempull,
Mbi këtë vis,
Prush si trëndafil kërmezi.