Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Halli i madh i xha Rizait

-Sipas rrëfimit të 97 vjeçarit Qemal H. Bego

Kur më caktuan me punë  për herë të parë në Drenovicë, e para gjë që u mundova të bëja ishte njohja me gjendjen ekonomike dhe shoqërore të anëtarëve të kooperativës. Doja të dija si rronin, si hanin e pinin, si flinin e ku gdhiheshin…Oh sa shumë varfëri dhe jetë  e rëndë, pa motive, pa  organizim por  me një farë besimi në të ardhmen! Një nga më të leckosurit ishte Rizai. Në shtëpi nuk kish as kotheren e bukës për tre fëmijët. I varfër sa s’kish ku të vinte më. Më pikoi në zemër. I lodhur, i rëgjuar, i pamundur, i dobësuar fizikisht…E dëgjova kur më fliste për hallet e tij dhe vendosa me një herë që ta ndihmoja. ”Nesër në sabah do të vish korrier te zyrat e kooperativës dhe të këshillit”,- i fola në formë urdhri. Atij në çast iu çel fytyra, por shprehu edhe një farë mosbesimi. “More vesh?” –  duke ia ngritur zërin. “Nesër që më sabah të jesh te zyrat…” Zëvendëskryetari i tregoi detyrën dhe vendin ku do të qëndronte. Që atë ditë e deri në fund Rizai e kryente detyrën shumë mirë. Fëmijët e Rizait vajtën në shkollë. Veshën opinga dhe pantallona. Edhe e shoqja e Rizait nuk iu nda punës në arë. Kaluan dy vjet sakaq. Dalëngadalë  gjendja u përmirësua edhe në kooperativë edhe tek çdo anëtar i saj. Rizain e nxorrën në fotografi para tabelës së nderit të kooperativës, aty ku ishte bërë edhe një lulishte e vogël të rrethuar me rozmarinë dhe rrotull saj ishin  mbjellë  akacie të cilave u shërbente Rizai.”Ai fuste edhe ndonjë ditë pune në aktivitete ndihmëse  krahas punës si korrier. Me kalimin e muajve e viteve, fshati  kish siguruar plotësisht bukën me forcat e veta; dhjetë muaj bukë misri e dy muaj bukë të gatuar me grurë. Punët në kooperativë po shkonin shumë më mirë se më parë. Punonim me disiplinë të rreptë, llogari ndaj secilit dhe pa lëshime ndaj kujtdo, që kishte gabuar. Kuadrot ishin të parët që në çdo punë tregonin shembullin e tyre. Se atëkohë, kish zot ahuri! Prodhimi rritej çdo vit. Mirëqenia në shtëpitë e fshatarëve  ngrihej për ditë e më tepër. Edhe ushqimi e mënyra e jetesës për tërë kooperativistët dhe të gjithë banorët u përmirësua dukshëm. Njerëzit ndjenin kënaqësinë e punës dhe ishin pakësuar shpërdorimet, humbjet, abuzimet. Një herë kur po kthehesha nga një mbledhje ku më kishin thirrur në raport ata të komitetit të Beratit, më të dalë të Urës Vajgurore (tani i thonë Dimal), shikoj  para meje në rrugën e asfaltuar një burrë paksa të  moshur e të lodhur me një thes në krahë. Kur u afruam e njoha. Ishte Rizai që ecte më këmbë drejt fshatit anash rrugës nacionale. ” Ndalo”, -i them shoferit. U përshëndeta me të dhe i thashë :”Hip në makinë”. Rizai nguroi pakëz dhe tregoi me shenjë thesin e mbushur që kish mbi supe.”Hip me gjithë thes”,- e urdhërova. Mbasi u rehatua bashkë me thesin në ndenjësen e pasme e pyeta:

NOA

“Ku paske qënë , o Riza ?”-nisa muhabetin.

“Në dyqanet tek Ura, shoku kryetar.”

“Po çfarë ke blerë kështu?”

“A të më dish hallin, o shoku kryetar!

“Po pse, o Xake akoma nuk t’u sosën hallet ty?- desha të bëja një shaka me të.

Ai uli kokën. “E po ç’të të them, o shoku kryetar!?” U mendua një hof dhe nisi të tregonte. “Para ca vitesh nuk e arrinim dot që ta mbyllnim vitin pa borxhe me bukë elbi, krunde e misri. Tani pushteti, partia dhe puna jonë, sollën tërë këto të mira edhe për familjen time. Jemi të gëzuar, por ka ca ditë që djemtë… ah, djemtë!” Heshti pak dhe uli prapë kokën. Psherëtiu thellë dhe tha:”U them që nuk duhet të harrojmë të hequrat tona. Por ata bëjnë sikur më dëgjojnë.” Dhe mbasi mori frymë thellë e nxorri me nxitim e frikë  nga goja: “ Fëmijët nuk e pëlqejnë më bukën e misrit. Duan vetëm bukë gruri! Ndaj shkova në qytet dhe bleva çyrekë për një javë…”

Ishte viti 1963.