Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Moderniteti, si analizë e thellë në kohështrirjen e letrave shqipe

733
(Rreth librit voluminoz me vëzhgime dhe kritika letrare “Unë mendoj” të Vladimir Muçës)
Vëzhgimi dhe shqyrtimi i imët i emrave të krijuesve, veprave, dukurive dhe risive letrare në Shqipëri është një proces që u duk sikur në periudhën postkomuniste u zbeh për të mos thënë stopoi, por në fakt ky është veçse një iluzion, që erdhi nga mosnjohja jonë dhe nga mos qarkullimi si dhe në mënyrën e duhur i emrave dhe veprave më përfaqësues të kësaj kritike të re, tanimë të çliruar nga kornizat dhe shabllonet e soc-realizmit. Libri “Unë mendoj” është një udhëtim i shkrimtarit dhe kritikut letrar Vladimir Muça në labirintet e letrave shqipe, në disa nga emrat dhe veprat më përfaqësuese të këtyre letrave, me dukuri letrare të konturuara në gjysmë hije dhe në hije, me prurje nga më të larmishmet në të gjitha zhanret letrare, ku janë lënë shënjime të denja për të hyrë në analet e estetikës dhe për t’u bërë objekt analizash dhe qasjesh kritike. Ky libër është një udhëtim i shkrimtarit në kohën e shpirtit njerëzor që ka lënë gjurmë në letër dhe na sjell copëra kujtese, narrative, poetike, marrëdhëniesh estetike dhe jashtë estetike, pa filtra dhe pa maska, derdhur në një analizë të imët e të ngjeshur mjeshtërore, ku sundon një vëzhgim i detajuar rreth mjaft autorëve dhe veprave të tyre letrare. I ndarë në katër pjesë: “Përqasja e romanit të sotëm shqiptar drejt risive moderne”, 

“Prozat tregimtare me dukuri moderne bio shqiptare”, 
“Paradigma të poezisë moderne në poezinë shqiptare“ dhe 
“Sprova vlerësuese”. 

Ky libër është një qasje e re e mendimit kritik modern shqiptar drejt trajtave, prurjeve dhe fytyrave letrare, që kanë populluar letrat shqipe në epokën e modernitetit; është një eksplorim në botën e thellësive të poetikës dhe trajtave nga më të larmet rrëfimtare, që në kohë-shtrirjen historiko-letrare kanë lënë shenjat e tyre si gurët kilometrikë në një rrugë të gjatë e plot kthesa të befta. Duke trajtuar me kompetencë dhe thellësi një figurë krijuese si ajo e Faik Ballancës dhe një roman të tij si “Nomeja e largët”, Muça e vendos atë në shtratin më modern të traditës së letrave shqipe, ku mund të radhiten Shuteriqi, Pasko, Kuteli, Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadre që e tejkaluan kohën e tyre dhe na dhanë një produkt letrar “bio”, një produkt që do t’iu qëndronte sfidave të epokave të mëvonshme të globalizimit letrar dhe modernitetit. Muça zbulon thelbin e aktit romanesk të Ballancës në këtë roman të tij, atë që ai e quan “çlirim nga lineariteti tregimtar”, duke mos i qëndruar besnik fabulës narrative, por duke na dhënë një arkitekturë të re të romanit, çfarë ishin dhe arsyet jashtë letrare se pse kjo vepër u la në heshtje dhe u desh ta shihte dritën e botimit vetëm në vitin 1989, dymbëdhjetë vjet nga ikja tragjike nga kjo botë, në rrethana të dyshimta dhe denoncuese për regjimin e kohës, të këtij shkrimtari të pazakontë. Duke analizuar romanin “Gruaja e shiut” të shkrimtarit, mjeshtrit të Madh Bashkim Hoxha, Muça i referohet një thënieje të famshme të Gustav Floberit, se “artisti duhet të jetë në veprën e vet si zoti i padukshëm në gjithësi”, duke na parapërgatitur për thellësitë e qasjes së tij ndaj kësaj vepre. Muça e vështron risinë e këtij romani në strukturat e reja rrëfimtare të autorit,në linjën e modernitetit me anë të thyerjeve që zotërojnë stilin e tij rrëfimtar, ku ndërthuren monologët, dialogët dhe përshkrimet me një gjendje disi dehëse dhe psiko-analitike të personazheve. Po kështu, në linja të epërme depërtimi të imët dhe të thellë Muça ka ruajtur shqyrtimet e tij estetike dhe në qasjet rreth romanit “Eklipsi i hënës” të shkrimtarit Skënder Drini. Ky vëzhgues i imët rrok thelbin e personalitetit letrar të S. Drinit, që ashtu si në romanet e tjerë të tij shpërfaqet hovshëm dhe në këtë roman: psikanaliza si mpleksje e mendimit etik, filozofik, estetik, ku imazhet dhe qasjet alla kafkiane, alla frojdiane, vijnë e përkthehen me një transhendencë mrekullore në realitetin e tejdyzuar dhe të mbarsur me emocione të shumëfishta të botës shqiptare, që plazmon në çdo faqe të këtij romani. Libri “Unë mendoj” i shkrimtarit dhe kritikut letrar Vladimir Muça të bën vërtet të mendosh për vlerat e spikatura që na vijnë nga emra dhe vepra të ndryshme në rrugëtimin e tyre historiko-letrar, duke vendosur ura komunikimi me lexuesin e pajisur me një aparat vetëdijësor të shqyrtimit analitiko-sinetetik, ura nga kalon moderniteti si një cilësi e artit elitar të shkrimit shqip, si një lëmi ku kërkon vazhdimisht autori në këtë libër dhe gjen modalitete të veçanta të shprehësisë estetike në kohë-hapësirën e letrave tona kombëtare. 


Sigal