Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: Kur vdiq poeti Ali Asllani dhe tre poezi të panjohura të vitit 1966 

386
  1. Ne nuk e dimë si vdiq poeti
Sigal

Me gjuhën e poetit do të shprehem: Rajvizim në portret. Fytyra e tij regëtinte. Trupi flinte, mendja dremiste. Deshifrimi: Ekzistenca juaj, është burim i pashtershëm poetësh. Frymëmarrja e  dimrit tek fytyra e zbehtë e poetit lirik ruante kërcënimin e një dihatje të vështirë. Trupi nuk ndjente më sëmbimet e zemrës. Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Firomën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi, përgjithmonë e dha  në 21 dhjetor. Pak përpara rënies së ftohmës së parë të shekullit. Pak përpara ardhjes së dimrit të  ftohtë. Ne nuk e dimë si vdiq poeti. Ishte në Tiranë. Dimë, se vdiq në vitin 1966. Dhe asokohe bënte 86 vjeç. Kemi mjaftë përshkrime të disa autorëve ata e kanë njohur, dhe kanë jetuar aso kohe se si poeti përshkonte udhën,  kur shkonte te Lidhja e Shkrimtarëve, në godinën te rruga e Kavajës. Në rrugë ecte një  fisnik me një bastun. Ishte poeti lirik, diplomat, politikan, ish-kryetar i bashkisë të qytetit të Flamurit. Një përshkrim më të saktë bën shkrimtari Agim Shehu, diku në një skicë të tijën. Nga kërkimi nëpër arkiv kemi gjetur një gazetë të zhubrosur, rreth 65- vjeçare, ndërkaq  ajo  i përkiste shkrimtareve shqiptarë të kohës. Nuk është e vështirë të imagjinohet se regjimi i vendosur pas çlirimit të vendit  kishte 22 vjet. Ali Asllani ishte poeti i shumë këngëve të njohura kënga e luftës së Vlorës dhe më tej poema :”Hakërim” krijimi, që lindi nga korrupsioni dhe kontrabanda në administratë, fenomene të rrezikshme ishin njohur në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative dhe që ishin reale gjatë luftës së II botërore, i ka patur mirë parasysh Ali Asllani, kur shkruajti poemën. Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elemenetëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptar. Prandaj  ai do të shkruante:“Hani –pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…/Të pabrekë-ju gjeti dreka,milioner ju gjeti darka…/Hani -pini e rëmbeni,është koha e çakenjëve,Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…/Dallavera nëpër zyra,dallavera në Pazar,/Dallavera me të huaj,dallavera me shqiptarë…/Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë/Le të rrojë batakçiu,dhe i miri le të vdes……..Edhe pse ishte nëpunës i regjimit ai i dënonte ato akte që shkonin kundër moralit të tij. Të flasësh për Ali Asllanin, për këtë personaliet të shquar dhe veprën e tij të ndritur, për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë. Por vepra, që ai ka lënë pas, aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë, për të folur dicka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme,e asaj jete të gjatë, plot brenga, por gjithmonë krenare. Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë ishte  shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore. Ai dha një kontribut të shquar dhe të pa zvëndesueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi, la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

  1. Kur vdiq poeti Ali Asllani

Ja njoftimi, që jep në 25 dhjetor  1966, gazeta e shkrimtarëve socialistë: “Drita” shkruan:“Më 21-XII-1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç, poeti Ali Asllani, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve. I shprehim ngushëllimet tona familjes.” Më poshtë, redaksia e kësaj gazete ka vendosur edhe një vjershë si dhe një shënim, ku thotë: “Këtë vjershë Ali Asllani e pat dërguar në redaksinë tonë për botim disa javë para se të vdiste”. Gazeta : “Drita” 25 dhjetor 1966. Një pyetje e vogël  ngrihet. Poezia ishte shkruar në shtator të vitit 1966. Nëse ishte dërguar para disa javëve, përse nuk ishte botuar, mirëpo  dihet edhe fakti që poetin e politikanin ish- kryetarin e bashkisë Vlorë, e ndiqte nga pas hija e mosbotimit. Poezia titullohej: “Le të jemi krenar”. Po e japim të plotë poezinë, shkruar në stilin e tij, por që i kushtohej kohës.

Le të jemi krenar

Shqipëria jon tashi

di të bëjë diell e shi,

di të bëjë shi e diell,

sepse kokën e mban lart,

sepse rrënjët i ka thellë!

Le te jemi pra krenarë!

Q’ë nga len te perëndon,

e kush ësht si vendi jonë?

Si në tok’ edhe në det

kemi pjesën më të bukur,

në të bukurin planet!

Le të jemi pra krenare,

dy miljon thua shqiptarë,

fis fisnik në  radh’  të parë,

titan ishim,titan jemi

dhe përhera gjith titan,

rreptësonet shum shqiponja.

kurse matet me tufan!

Shtator 1966.

  1. Dy poezitë e tjera kushtuar sistemit

Dy poezitë e tjera të panjohura të botuara në këtë gazetë në  vitin e ikjes së poetit lirik. Në gazetën : “Drita” të vitit 1966, gjejmë edhe dy poezi të tjera, të cilat nuk kanë atë shkëlqimin e dikurshëm të lirikut poet, që ashtu si kishte mbiemrin kishte edhe vargun poetik: asllan. Sigurisht, që në kontekst të kohës, Asllani ashtu vetëm mund të gjente hapur  për autorin e këngës  së Vlorës, pra një dritare të vogël  botimi. Poeti ishte gjallë, mirëpo poezia e natyrës së tij, mund të thuhet  në këto vite kishte lindur e vdekur. Kur vdiq poeti, këto poezi të kësaj kohe janë anashkaluar me të drejtë, mirëpo për hir të së vërtetës, po i risjellim, 65 vjet më pas. Poeti A.Asllani mbahet mend për lirikat e bukura aq poetike e shpirtërore saqë, një poeti tillë mundtë t’i thurte e t’i latonte mjeshtërisht e bukurisht bukur.  Shiko si e thur ai poezinë  e lirë, atë që shpirti i buron vetë. Ali Asllanit për fshatin Vajzë: “Në krye të fshatit ka një deli krua/uj i tija akull derdhet në përrua/dhe në krahun tjetër varet nga një mal/një përrua i rreptë me uturim e valë/Mu në mes të tyre bregu Allatoj/dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoj/fshati babagjyshit fshati më i mirë/nga ata, që thuhen Labëri e lirë?

Aty ndën shkallë blegërin shelegu/aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku/rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle/nën rrap,në hije pleqtë qajnë halle/Lahure qëndisur bedene-bedene/sec i paska hije asaj protoene/asaj protoene me një furk në sqetullë/që e ther e që e gris me sy e me vetull/andej disa koce shkojnë në krua/këtej bagëtia varet në përrua/me krabë në dorë një djalosh/përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh…..

Një poete e huaj shkruante  e duke e shkruar e mendonte kështu kohëvdekjen e saj. Unë nuk jam kështu. Unë s’do të dua kurrë  të mos të jetë kështu, edhe pse unë bisedoj me njerëz të tillë, çdo ditë dhe unë nuk them asgjë e pse, kjo më bën mua  të ndjehen e vështirë….

Ja dy poezitë e tij botuar në gazetën : “Drita” viti 1966.

E vërteta dërmon hekur

Kur ia bënte pushka vu,

A e dini  këto nëna,

luftë me hasmin hundë-hu,

sa kan’ vuajtur ato hëna?

Që të sillnin bukë për çeta

shkel e shkuan mbi bajoneta;

Nëpër  gjurma të një mushku,

Pinin ujë me fleta dushku!

Her i thyente poshtë përpjeta,

Her i thyente tatëpjeta,

E cfarë buke?një kothere

Me dy grushte manaferre.

Në fshat foshnjat me pahir,

mbaheshin me hirrë dybeku,

dhe si kecër, kec i shtirë

zor ua mbante kokën zverku!

Ja pse  njeriu i ri

mbetet hasmi i çakallit.

Lavdi nënës Shqipëri

gjithë këta fidan flori

sot i ruan si sytë e ballit.

Mijra shqerra, mijra ftuja

veshur ngjeshur me tërtër (I)

u zhvesh pasha me tre tuja

po u vesh një fis  i tërë

U çel nëna tungjatjeta!

U  çel nena djegur pjekur;

Shif!e drejta e vërteta,

se si vjen dërmon hekur.

 

Kënga e një plaku

Them të shkruaj një poem

Qoft’ lirike, qoft’ epike,

do ma vargjet me derhem,

të mos dalin shtatanike.

Rrëmoj gjurmët titanike,

Dëgjoj këngët heroike,

Dëgjoj këngët, ato këngë,

Këngë e gunave pa mëngë.

A e njihni Arbërinë,

mos ja prekni krenarinë,

tanim na erdhi radha,

e udhëhequr nga një dritë,

Shqipëria monolitë,

merr e jep me re të bardha.

Po ju flas sepse këtu,

treqind muaj edhe t’hu,

e vërteta ja bën mu.

Vendi ynë tani po thuaj,

di ta ndez dhe di ta shuaj,

le të jetë lumi turbull,

ne do hidhemi përtej,

kjo shqiponjë që di e ngrihet,

e di mirë se ku do vej’.

Pra poemë e një poeti,

S’do rëkojë pas këtaj

kjo muzikë eterniteti,

do vazhdoj në tel të saj.

Vendi ynë përher’ nerënzë

kurdoherë sumbulloret,

kënga jonë përhera këngë,

sevdallesh e këtij vendi,

veshur petka prej argjendi,

mot e jet do rrotullonet.

3.

Unë me të vërtetë besoj se poezia është forma më e lartë e shkrimit, por poezitë e mësipërme janë thjeshtë një pasqyrë e kohës dhe atij realiteti, gati skematike. Po të shikosh në tërësi krijimtarinë e Ali Asllanit, të mrekullon në atë radhitje fjalësh, figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut, me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës, duke nxjerrë në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë  e vargut. Me një dorë prej qilimtari endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve, ekspresivitetin e fjalës e vargut, të strofave, e të krejt poezive të veta. Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë, atë poezi plotë dritë e hije,plot kontraste e antiteza. Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore, që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që: “sikur një gur stërrall/në gji zjarrin e ka ngjall/qoftë në lum e qoft në det/zjarr i tija nuk humbet!”Ky është vargu i tij, me rrezatim drithëronjës që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën, shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri, duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e  vendlindjes. Këtu mori nektarin e poezisë, përthithi e bëri të vetin mençurinë e vargëzimit, ndjeshmërinë e mendimit poetik, psikologjinë, si dhe reflekset e botës shpirtërore, të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore, e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan:  Poezi e një poeti, jo, jo këngë eterniteti…..Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte me sy të mirë, poeti s’kishte rrugë tjetër. N.Jorgaqi  ka shkruar rreth kësaj çështje. Nëse Lasgushi u mbyll nën vetvete ngaqë edhe në shkollarët e dinim të vdekur, madje u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë, poeti lirik lab, provoi më kotë  të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij poezinë  e lirë, të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër.

Shumë nga miq të tij i propozuan Ali Asllanit, në përfundim të luftës, që të largohej nga Shqipëria, por ai një gjë të tillë nuk e pranoi. Ja vlerësimi i Ago Agaj nga Smokthina në librin për luftën e Vlorës,1920,faqe 149: “Qofsh i mallkuar-o Ali Asllani, në të dyja jetët-që s’u arratise “bashkë me ne dhe ti, kishe kënduar lirisht dhe denjësisht këngët e kësaj epopeje…”.Autori shkruan me respekt për Ali Asllanin, kur përmend atje poemën “Vlora-Vlora” dhe me të vërtetë, në ato vende të lira që Ali Asllani i njihte shumë mirë, patjetër që do të këndonte më shumë e më bukur asaj ngjarje, sepse kushtet, andej ishin më të mira e të favorshme për të. Por ai, si patriot, atdhetar i madh që ishte, nuk u largua nga vendi i tij, duke mbetur kështu një shembull i shkëlqyer.