Suplementi Pena Shqiptare/ Jakup Gjoça: Pse të dashurova që në çastin e parë

602
Sigal

Nuk besoja tek dashuria me vështrimin e parë. Derisa u takuam sërish pas 30 viteve, kuptova, pse ishe dashuria e vetme e Imja, që u lind në takimin tonë të parë.
Kur u takuam herën e parë, Ti më shtrëngove fort dorën, sa asnjëra tjetër deri atë çast. Sytë e tu kishin një dritë më të bardhë se dielli i asaj dite maji, sa askurrë atë dritë të syve të tu, të takimit tonë të parë, nuk e kam parë në asnjë shikim tjetër të grave që kam njohur deri tani. E mban mend, ti ishe e shoqëruar edhe me shoqen tënde, e cila fizikisht ishte edhe më e bukur, por bukuria fizike e asaj nuk la asgjë tek sytë e mi.
Edhe kur u ndamë nga ai takimi ynë i parë, Ti diçka le tek unë. Nuk e besoja dashuri… Ngaqë nuk besoja në dashurinë me shikimin e parë…
Folëm fjalë të kota, porse Unë nuk i harrova, edhe pse kujtesën time e gërryen përrenjtë e disa dekada vitesh…
Por ai çasti i parë i takimit tonë ndezi tek unë një dëshirë. Që në ditët që vinin, Unë të të kërkoja të të shikoja. Kisha një etje. Doja të të dëgjoja, që të shuaja një zjarr që më digjte përbrenda, sa më trazonte gjumin…
E prapë nuk besoja, dashuri në vështrimin e parë!
Por besova atë çast, kur u pamë për herë të parë. Në atë çast pashë të vërtetën brenda vetvetes time. Dhe e tradhtova, ngaqë lejova edhe Ty ta lexoje, sa të shikoje veten tënde brenda të vërtetës time. Derisa edhe Ty, në ditët që na erdhën më kërkoje.
Gënjenim vetveten tonë, që gjoja mendonim se fare rastësisht çdo ditë rrugët tona bashkoheshin, kur takoheshin fare rastësisht, në rrugicat e Universitetit. Siç kujtonim se fare rastësisht ndodhte që edhe orët e studimit tonë në bibliotekë ishin në të njëjtat orë të çdo dite.
Fare rastësisht, takoheshim çdo pasdite të shtunave edhe në të njëjtin urban që na çonte në kryeqytet dhe kishim fare rastësisht çuditërisht të njëjtën dëshirë të shikonim bashkërisht të njëjtën shfaqje Teatri. Rastësi ishte që edhe shijet letrare i kishim të njëjta.
Siç ndodhi fare rastësisht që ti më dhe një ditë të rastësishme edhe një copë letre dhe më the se ishte poezia jote e parë. Unë rastësisht u entuziazmova sa e lexova sa e botova në Gazetën tonë “STUDENTI”. Fare rastësisht ndodhi që edhe titulli i poezisë tënde të parë Ishte “Dashuria lind me shikimin e parë”.
Rastësisht, ndjeva edhe Unë muzën time, sa ta dhashë gazetën “STUDENTI” atë kopje të parë të shtypshkronjës, ku sapo u shtyp për herë të parë poezia jote, dhe shkrova me një frymë tregimin tim “Ina”.
Kur akoma nuk të kisha pohuar fjalët ” Të dua” shkrova në tregim imagjinatën time, atë çastin e parë të ardhjes tënde në shtëpinë time, kur i them mamasë: Ina është, dashuria ime”.
Dhe Ti fare rastësisht më pyete, sa e lexove tregimin tek gazeta “STUDENTI”: “Cila është kjo Ina?” Unë rastësisht gjeta fjalët “Imagjinata ime”. Sepse akoma nuk besoja në dashurinë me shikim të parë, që t’i përgjigjesha pyetjes tënde me të vërtetën time: “Ina e tregimit tim je Ti!”
Atë çast të parë që të pashë për herë të parë, kuptova më vonë, që nuk i përkisja më vetvetes tërësisht.
Një pjesë të vetvetes ma rrëmbeve Ti…
Dhunshëm.
Sa pastaj ndihesha kaq i zbrazur, sa vuaja, nëse një ditë të mos shikoja Sytë e tu.
A mund të jetoj një ditë pa diell?
Vuaja, nëse nuk dëgjoja zërin tënd edhe një ditë të vetme.
A mund të jetoj dot njeriu, nëse nuk dëgjon një ditë të rrahurat e zemrës?
Fare rastësisht ndodhi edhe ai çast, kur në errësirën e teatrit kokat tona u mbështetën tek njëra- tjetra, sa lindi tek unë krejt rastësisht një dëshirë e marrë.

Rastësisht, pa kontrollin e vetëdijes, buzët e mia prekën buzët e tua…
Po buzët e tua u ngrinë, sa thua se buzët e mia prekën një Tokë të akullt.
Po buzët e mia, NUK ngrinë nga e akullta e buzëve të tua.
Rastësisht gërmuan thellë atij akulli, porse me shpresë se thellë – thellë buzëve të tua do të gjenin zjarrin që kërkonin…
Kur e gjetën atë zjarr, buzët e mia u dogjën, sepse zjarri i buzëve të tua u ndez mbi buzët e mia fare rastësisht, sa dogji çdo mbrojtje të buzëve të mia…
Nuk mundëm të jetonim Një Jetë bashkë.
Por edhe pse larg, vetminë tënde nuk e ndjeva në dhjetëra vite që jetova pa Ty.
Sa herë të kërkoja në vetminë time, jetoja atë çastin tonë të parë.
Ti nga Unë, Unë nga Ti në boshllëkun tonë të dhjetëra viteve nuk munda ta marr vetveten time nga Ty.
Sado që bindja vetveten, që Unë nuk do të të takoj më. Sado që Vetmia ime më bindte që kurrë më as do të të shikoj.
Dhe këtë çast doja ta vrisja vetminë time, duke kujtuar atë çastin tonë, kur fare rastësisht të thashë për herë të parë:
– Të DUA!
– Sa më dashuron? – më pyete, që të më besoje.
– NJË Jetë! – t’u betova.
– Koha do ta provojë! – më the prapë e dyzuar.
Nuk munda të të harroj, edhe pse u mundova të bindja vetveten që të humba përgjithmonë. Edhe pse vitet larg teje më bindën që asnjë çast tjetër nuk do të jesh më e Imja!
Vazhdova jo tashmë rastësisht që të të dashuroja, edhe pse nuk të shikoja, edhe pse nuk të prekja më…

Derisa u takuam atë natë…
Që jetuam Erotën tonë…
Nuk ka rëndësi, që Erotën e jetuam një natë të vetme. Nuk ka më rëndësi që tani jemi prapë larg njëri – tjetrit. Por nuk jemi më të huaj për njëri tjetrin. Erota e madhe njëherë jetohet. Erota Nuk është e përjetshme. Edhe larg fizikisht njëri -tjetrit, sado që flemë në përqafime të tjera, Unë dhe Ti e dimë që mund të prekim trupa të tjerë në krevat, por ndjenjat tona bëjnë Erota bashkë!
Unë e Ti e dimë që dashuria jonë që lindi atë çastin e takimit tonë të parë është Ekzistenca jonë.
Ai çast i parë i yni na lindi tek njëri – tjetri atë dashuri, që i ngjan Yjeve.
Që lindin të ndriçojnë edhe një natë të vetme. Pastaj shuhen në Agimin që vjen….