Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: Kadare -Sadik Bejko dhe “Kënga e xha Canes”

244
Sigal

Këtë mëngjes të ftohtë me një qiell gri dhe pas shiut, kjo stinë erdhi e na gjeti mbuluar me dëborën e bardhë. Një stinë e mërzitshme si dimri përveçse tjetër; më gjen duke shfletuar gazetën”Drita”. ‘Drita ishte si një shpresë, po ta mendojmë se kahu i lindjes: agimi dhe kahu i shuarjes -perëndimi ajo përkund, në këtë tokë të etur për dije. Për gazetën ishte 23 maj 1967. Këtej nga ne dimër 2021. Seç m‘u kujtua kjo poezia ime: I ftohtë është veriu!/Moti gjithnjë me ngricë./Andej filluan mbjellim grurin./Kjo tokë dunicë. Trokitje përmbi qelq. Era ngre perde. Degët e ullirit./Shën Gjon është sot. Flokët të Maries dallgëzuar. Degë bliri. Syri i rrudhosur. Harbuar juga. Tymosur oxhaqet. Trembur çatia./Kuaj që ikin. Shtegu i çarë në vrizë. Priti kuajt Maria!Fushnajë e shkretuar. Era përzë zogj. Të trembur në lugina./Gruri i shirë në lëmë. Krojet rrjedhin qumësht./Qentë flenë me kopenë. Xhaketë e vjetër grisur./Ugar me plisa. Rrëzuar në avlli hardhia. Kukurisnin plakat: ç’dimër do të bëjë sivjet Maria! Një rruginë me hënë, një rruginë me vranësira, në mes errësira. I tretur shikimi./Kufiri ç’largësi yjesh. Mushkat në mjegull hingëllijnë. Shpejt zuri dëborë, vise me egërsira. Prishur magjia…. Një titull domethënës: 25 Maj- dita e poezisë”. Poeti i asaj kohe një djalosh i ri. Ashtu si të gjithë më ëndrra dhe mbushur me frymëzim rinor. Ishte student dhe së bashku me Klito Fundon, kërkonin një shkrimtar të ri , por me emër. Ai quhej Kadare dhe ishte redaktori i gazetës letrare artistike të kohës. Sadik Bejko një mit për mua. Ilirjana na kishte miqësuar në një darkë me pica në promovimin e botimit të saj rreth 11 vjet më parë. Aty gjej:”Diej dhe këngë” dhe nis vargu i poetit mëngjese të pastra si luleborë/gëzimi im ndezur në purpur/dhe djerë nga shtrëngata jote /dhe këngë diej edhe flamurë…..Gjezdisa ca ku atje dhe këtu përhumbur nëpër vargje…

2.Dua të ndalem te poezia”:’Kënga e xha Canes”.Apo s’fillonte i “shkreti varg” me këngën kaq të bukur popullore. Po kushtuar xha Canes .  “Vjen xha Cania me fustane/me krrab e me jatagane…” Poeti hedh vargun e parë: Kur më panë brigjet e vendit të lindjes dhe tej /kur dola në ara në dasma në lëmë/ si vrapon prej erës flokënajë e kallinjve:/vraponte drejt meje e dhembshur një këngë… Kënga lindi pikërisht ndër brigje të vendlindjes së tij, mirëpo dhe më tej. Ara dhe lëmenjtë ishin prezentë ndër popujt, që merreshin me bujqësinë. Aty duajt e grurit stivoheshin dhe pastaj një konop i madh u binte përsipër me sa të hante krahu. Mirëpo edhe gomari mund ta bënte këtë punë duke u endur rreth e rrotull lëmës ku shiheshin grunjërat. Në jug, ka erëra të marra dhe kur nis puna, që grunjërat shiheshin në lëmenj, erërat ishin bereqet. Ato pastronin grurin nga egjrat dhe sa më lart, që hidhej ndahej shapi nga sheqeri,- thotë populli ynë. Aty në lëmë ishin vashat, që kishin sjellë kanistrat me bukë. Ishin djemtë azgan mustaqe dirsur. E qeshura dhe kënga merrte dhenë, pastaj siç thotë poeti Sadik Bejko: vraponte drejt meje e dhembshur një këngë… Vijon strofa e dytë…Seç ishte një këngë, këngë e asaj ane!/Nga brigjet nga pyjet, kopshtet me bajame./Po vjen xha Cania që larg me fustane,/me kalë të bardhë krrab e jatagane… Këngët lindin, siç e thotë edhe Kadare në studimin e tij: “Autobiografia e këngës në vargje në dasma…, por edhe në lëmenj ku shihej gruri në kullota ku veronte bagëtia, mirëpo kënga e Xha Canes dukej se vinte pikërisht nga një lëmë i madh ku ishte nxjerrë buka dhe fara e ardhme e bujkut lab. Tokat e pakta dhe më të shumta me brigje, mbuluar edhe nga pyjet e jugut të mbushin me atmosferën e jetës, me misterin e jetës, që popullonte pyjet dhe më tej, përtej pyjeve ku shihen në sfond shtëpitë me rrasa guri dhe me kopshtet me bajame. Mirëpo atje tej unë shoh Xha Canen, që larg me fustane si komit me kalë të bardhë me krrabën e dhënve dhe me jataganë …nëse ndjekin strofën e tretë ku poeti thotë:Në rrudhat e kohës,dhe myshku i lashtë/ kasollet e fshatit murishte e varre/këndojnë për Canen ushtar mjekërbardhë/me kërrabë bariu e pallë të madhe…mësojmë diçka më shumë për banorët në këtë rast- lebërit e asaj kohe. Fshati i xha Canes ishte me rrudhat e kohës, pra autori paraqet relievin e një fshati të krijuar nga natyra që ende qëndron në këmbë me rrudhat e tij, pra me kodrat, bregoret dhe lashtësinë e tij, që ne e identifikojmë me myshkun që zënë kohërat nga vjetërsia. Autori flet edhe për fshatin e xha Canes. Ku kasollet e tij, rrethuar me murre të vegjël, të bardhë dhe në perëndim gjendej gropa, ku shkonin në perëndim të jetës, ata që s’kishin punë më me këtë jetë, ndër varret e heshtur e të mbuluar nga barishtet. Ky ishte fshati i vjetër i kohës i shekujve më parë. Aty në këtë fshat të largët Plaku Cane nuk ishte thjesht një bari, por edhe një ushtar, që mbronte vendin e tij nga hordhitë, që endeshin asaj ane. Pushtuesi i egër ngjitej edhe ndër male ku ishin strehët e fshatrave, që u ndërtuan qëllimisht nga lashtësia për t’i shpëtuar ndjekjeve vjedhjeve, vrasje plaçkitje dhe në fund pushtimeve të egra. Jo pa qëllim, fshatrat tona gjenden ende rrëzë maleve kaq larg detit dhe tokës. Ishin të mençur, sepse tokën e shfrytëzonin për bujqësinë, malet për blegtorinë dhe strehët e tyre i kishin ndërtuar për të mos prishur tokën e paktë të bukës, atje lart ndën male. Xha Cania ishte një ndër ata banorët e këtij fshati, që ishte edhe bari e ruante tufën e dhenve, ushqente familjen e tij në kohëra të vështira, por edhe një ushtar i vendit të tij. Ai mbante edhe jataganin pranë ngaqë armiqtë e këtij vendi ishin të shumtë dhe ishin prezent, gjithë kohës edhe ndën strehët e tyre. I duhej kjo armë, për të luftuar me të pabesin, hasmin, që i vinte te shtëpia, te tokat e tij dhe bagëtia e krijuar me mund, djersë dhe sakrificë. Në strofën e katërt poeti shkruan: Mbuloheshin arat nga flokët e blerta/më pushtonte, kënga, kënga e kësaj ane./Eh ky burrë ikte, linte dhen e shqerra/dhe armiq me dorë therrte nëpër male. Ishte kohë lufte. Sapo kishin shkuar llohrat e dimrit dhe ishte buisur gjethja. Fshatrat në jug dhe kudo në kohën e pranverës zinin gjethen, çelte tërfili, buiste lulëria. Eh parajsë nga natyra tokë. Poeti me anën e këngës, që kishte dëgjuar ndoshta në rininë e tij na thotë: -Eh ky burrë ikte, linte dhen e shqerra…Sa herë labit të shkretë i binin taksirat armiqtë te koka, labi merrte pallën për t’u qepur këmba-këmbës armikut. Poshtë atje tej ishin bagëtia dhe të vegjlit e tyre, që prisnin çoban. Nuk dua të përmend metafora apo forma të tjera gjuhësore, por dua të eci në shtratin që ka ecur poeti, sepse si xha Cania ka pasur shumë lebër, që sot janë pjesë apo më saktë, zemra e çdo këngë të vjetër labe në çdo fshat. Në strofën e fundit, që është edhe epilogu i kësaj poezie autori shkruan: “Po dikur kish rënë larg stanit të dhënve,/nën qefinin e barit,/nën klithma të burive/dhe nga shpirti i truallit se çu ngrit kjo këngë,/si brigjet e heshtur përpara breznive….Kënga ngrihet për trimat. Xha Cania ishte një i tillë. Ky burrë lab patriot, trim i ndiqte hordhitë këmbë pas këmbe. Me pallën e vet, luftoi deri në fund. Kur shpata e preu dhe gjaku i tij u derdh në tokën, që e lindi, e rriti e mbajti dhe e bëri trim. Xha Cania u shua atje larg duke luftuar me armiqtë. Poshtë tij ishte stani dhe bagëtia, që blegërinin, të vegjëlit, që thërrisnin mëmat e tyre. Ishte si një vajtim! Dhe në një ligjërim lab pak a shumë kështu, thuhet:-Blegërin kërkon çoban/,korba çeço….Xha Canes, qefin ju bë bari i tokës së vet. Atje u mbështet, kur u rrëzua i larë në gjak. Vuri pëllëmbën e dorës. Dhe e mbështeti kokën. Atdheu nuk vdes edhe në vdeksha unë… Shtroja e trimave shqiptarë, ka qenë toka e vet. Dhe për këtë trim, kënga nuk do të mungonte. Nga shpirti i truallit, toka e miteve, legjendave dhe historisë nuk do t’i mungonte edhe kënga. Për xha Canen binin, buritë dhe vajtimi lab. Nuk kishte gazeta të kohës, për ta treguar historinë e xha Canes. Që edhe pse vdiq u kthye të ruante shqerat e veta. Gazetat e huaja e fshinin trimërinë e tij. Por ai nuk humbi, shpirti i tij u shua vërtet, por kënga e bëri të paharrueshëm. Edhe treqind vjet pas kësaj ngjarje, ai është aty . Xha Cania i tërë me fustanellë me krrabë e jataganë…

  1. Poeti Sadik Bejko: Disa kujtime me Kadarenë, në 85-vjetorin e tij.

Rrëfen kështu për krijimin e poezisë për Xha Canen. Kadareja banonte në një dhomë me aneks. Bënte reportazhe për gazetën. E vlerësonin në kreun e rrethit. I kërkova që të më lironin nga drejtor shkolle. Pas një jave, kur kthehesha nga fshati Syzes, më thotë se nuk i kishte ecur me porosinë time. E kishin pyetur pse ndërhyn që të shkarkojmë një drejtor shkolle, mos nuk është i aftë? Kadareja ishte përgjigjur se miku im është shumë i aftë, por ai do që të bëjë letërsi dhe kjo kërkon kohë. Ashtu?- i thanë. Nëse është i aftë, të mësojë vështirësitë. Revolucioni i do njerëzit e aftë. Duhet të kisha thënë që je i pazoti, më tha Kadareja i zhgënjyer. Po nuk mund ta thoja. Në kafe. Çfarë ke shkruar më pyeti? Një poezi për një bari që shkon në luftë, vdes dhe kthehet të ruajë prapë bagëtitë e tij. Kjo është tema ime, më tha , ti ma ke marrë. U habita. Nuk më kishte lexuar një gjë të tillë. Unë e botova në “Drita” poezinë “Kënga e xha Canes”. Një javë më pas Kadareja botoi poezinë e famshme “Kënga e ushtarëve të vjetër”… “nga lufta vijmë në luftëra shkojmë/ dhe tjetër fat s’kërkojmë ne”.