Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Metuku: Hajdutët dhe ”testamenti”

381

Ishin disa shokë që kishin vendosur të shkonin në një piknik, për të festuar ditëlindjen e njërit prej tyre, por ata nuk kishin me vete aq lekë sa të blinin të gjitha gjërat që iu duheshin për të festuar. U ulën diku dhe po bisedonin me njëri-tjetrin, se si do ta zgjidhnin këtë punë.  I pari thotë: – Unë do të shkoj të gjej verën. – Unë do të shkoj të gjej  pulat,  – thotë i dyti.  I treti thotë: – Unë do të shkoj të gjej  bukë.  Ndërsa, i katërti tha se do të gjente disa turshi dhe gjëra të tjera, që të pinin ndonjë gotë raki. Pasi  u ndanë me njëri-tjetrin, secili u nis për në punën e tij. Në fillim niset personi  që kishte marrë përsipër sigurimin e bukës, kishte marrë me vete vetëm pak lekë në xhep, dhe një thes në dorë, dhe shkon tek një furrë buke. Kur arrin atje, i thotë pronarit të furrës:  – Të lutem, shikoje një herë atë bllokun e shënimeve, sa lekë të ka mbetur borxh, babai im?.  – Babai yt nuk më ka asnjë lek borxh,  – i përgjigjet pronari.  – Unë di që të ka pasur disa lekë borxh, se babai më vdiq para pak ditësh, dhe ma ka lënë në testament që t’ju likuidoj, ndërkohë që djali nxjerr nga xhepi lekët, pronari i futi në xhep lekët që i dha djali, dhe kur ky i fundit, u bë gati për të ikur nga furra e bukës, pronari i tha që të mos nxitohej, por të qëndronte për të pirë një kafe. Djali ia ktheu:  – Nuk kamë kohë për kafe, se më duhet të shkoj të blej bukë tek furra tjetër. Pronari i tha djalit, që të mos shkonte tek furra tjetër, pasi edhe babai i tij kishte qenë klient i përhershëm aty. Por djali i thotë se nuk kishte lekë me vete, se i kishte shpenzuar për ceremoninë e varrimit të babait të tij. Dhe pronari i furrës i thotë:  – Nuk ka gjë, merr bukë sa të duash  dhe m’i jep lekët kur të duash. Dhe kështu, djali e mbushi thesin plot me bukë dhe shkoi tek shokët. U nis dhe tjetri që kishte marrë përsipër sigurimin e verës. Mbushi një enë të madhe përgjysmë me ujë, dhe shkoi në një pijetore. I thotë shitësit:  – Më jep dhjetë litra verë.  I bëri shitësi dhjetë litra verë, dhe ia hodhi djalit në enën që kishte marrë me vete. Djali i thotë:  – Lekët do t’i sjell nesër.  – Pa lekë, nuk të jap asgjë.  – i thotë shitësi. -Nëse nuk më jep, atëherë merre verën tënde,  – i thotë djali. Shitësi  e mori enën, dhe zbrazi dhjetë litra verë dhe ujë bashkë. Pastaj shkoi në një pijetore tjetër dhe bëri po të njëjtën lojë. Dhe kështu, uji që kishte në fillim, u kthye  e gjitha në verë. Pra, edhe ky e siguroi verën që kishte marrë përsipër. Niset personi që do të siguronte disa turshi për meze. Edhe ky shkoi tek disa dyqane, dhe, duke u hequr, herë si Lypës, e herë si pijanec, edhe ky, më në fund e kishte siguruar atë që kishte marrë përsipër, sigurimin e turshive. Në fund, niset edhe personi që kishte marrë përsipër të siguronte pulat. Rrugës takoi një fshatare që kishte një kosh me pula. Pasi bëri pazar dhe i mori pulat asaj, djali i thotë:  – Eja të shkojmë tek prifti, se unë jam shërbëtori i tij, dhe, kur t’i them që ti je e zonja e pulave, ai do të japi lekët.  U nisën për në kishë, dhe djali e gjeti priftin duke u rrëfyer. Djali, Hajduti i pulave, i afrohet priftit dhe i thotë në vesh:  – O at, ajo gruaja që shikon atje, ka shumë vite pa u rrëfyer, dhe e ka mendjen vetëm për të marrë sa më shumë para. Sikur t’ia hiqje këtë ves do bëje një të mirë të madhe dhe do të fitoje një shpirt!  – Mos ki merak, o djalë, tani do e thërras unë atë, që të rrëfehet, – i thotë prifti. – Bëji shenjë me dorë që të qëndrojë këtu, e të pres,  – i thotë djali priftit.  Edhe prifti ngriti dorën dhe ia bëri me shenjë fshatares që të priste.  Atëherë, djali, hajduti i pulave, shkoi tek ajo, dhe i thotë:  – Qëndro këtu, se tani do të vijë prifti dhe do të japë lekët.  Dhe, e zonja e pulave i thotë:  – Po, po, këtu do të pres, se e pashë priftin, që më përshëndeti me dorë. Ndërsa djali u kthye tek shokët, për të ngrënë e për të pirë, prifti e thërret fshataren dhe i thotë të ulet në gjunjë, e të bëjë kryqin, dhe ajo e bën këtë ritë. Pastaj e pyet, se sa kohë kishte që nuk rrëfehet, ajo i thotë:  – Zotëri, dua lekët, se nuk kam kohë të rrëfehem. – Bija ime, largoji lekët nga mendja dhe vëri shkelmin djallit. – thotë prifti. Fshatarja i thotë përsëri: -Dua lekët e pulave, se nuk kam kohë për llafe.  Prifti nuk e kishte fare idenë se për çfarë po fliste ajo, dhe vazhdon e i thotë:  – Bëji kryqin se djalli po vjen të të tundojë.  Atëherë, përsëri, ajo i thotë:  – O zotëri, dua lekët e pulave që me ka marrë shërbëtori yt. – Për çfarë pulash po thua?!  – ia ktheu prifti i habitur.  Atëherë, fshatarja i thotë:  – Pulat që bleu shërbëtori yt, që erdhi e foli në vesh me ty, dhe ti ma bëre me shenjë, që të prisja  për të marrë lekët. – Ai nuk më tha gjë për lekë, por të të shpëtoja ty nga mëkatet që të kishin zënë.  – i thotë prifti. – Nuk kam nevojë të rrëfehem,  o zotëri, por,  po ta përsëris  për të disatën  herë, më jep lekët e mia,  – i thotë fshatarja. Dhe kështu, donte apo nuk donte prifti, i dha lekët fshatares, që shkoi në punën e saj, dhe ai, mbeti duar bosh nga… hajduti!  Më në fund, hajdutët shokë, me gënjeshtra e me mashtrime, u mblodhën në një piknik, dhe festuan ditëlindjen e njërit prej … hajdutëve!