Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Sfidat e çuditshme përtej botimit të një libri mbi krimin kibernitik 

( Një portret analitik mbi krijimtarinë e juristit të ri durrsak Mustafa Llani bazuar në librin e tij të ri “Krimi kibernitik” botim i 2M, Durrës 2022 ) 

Njohja me juristin e ri durrsak Mustafa Llani erdhi nga një fakt i vetëm: botimi i librit të tij të parë ”Krimi kibernitik” dhe kjo njohje solli më pas edhe shumë njohje të tjera që të detyrojnë të përkushtohesh për të bërë  jo reklamën e librit, gjë e domosdoshme, por për të hapur në eter vlerat e këtij juristi me shumë ambicje për jetën. Me gjimnaz të mbaruar në Durrës, me gradën “Bachelor” të fituar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe me gradën “Master” të fituar në universitetin “Barleti” në Tiranë ai e mirëpriti trajnimin jashtë shtetit për çështjet kibernitike. Qilimi fluturues tashmë ishte endur në avlemendat e botës së tij të brendshme dhe ai e bëri gati librin për të flutururuar në botë të panjohura. Duke shkruar për shumë të rinj durrsakë si artistë, shkrimtarë, njerëz të medias, biznesmenë, etj, mendova se në rastin e Mustafa Llanit do të gjeja mundësitë e mia shprehëse për të “pikturuar” portretin e tij analitik, një portret që i kalon përmasat e 3D- s.

NOA

Por le të kthehemi në përmbajtjen e librit “Krimi kibernitik”. Në shikim të parë çdo kush do të mendonte se libri “Krim kibernitik” mund të paraprihej nga një libër me temë të gjerë nga ky autor si përshembull “ Hyrje në kibernitikë” apo “Bazat e teorisë kibernitike”. Por, nuk ndodhi asgjë e tillë! Mustafa Llani, ky kalorës alternativ i shumë pasioneve preferoi të merret me “ Të fundmin e Mohikanëve”, me një nga pjellat e kibernitizmit. Ai goditi në themrën e Aklit të kibernitizmit si teori pozitiviste dhe avangarde. Në librin e tij “Krimi kibernitik” ai shpalosh kapituj ku i bëhet një skanim gjashtë planësh krimit dhe pasojave, që lidhen me të. Pa dashur të ndalojë në analizat për çdo kapitull desha të ndalem te aspekti i inteligjencës artificiale. Në këtë libër autori Mustafa Llani sjell një thënie të Elon Mask, i cili ka pohuar në një emision para disa kohësh se rreziku më i madh që do të përballet njeriu në dekadat e ardhshme është inteligjenca artificiale. Eshtë e qartë se nuk flitet më për taboret e robotëve si tek filmi i hershëm rumun “Fitore mbi dalekët”, e aq më tepër që autori as që i përmend objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe që për parim ka faktorët që do të zhvillohen në të ardhmen e botës kibernitike. I ndarë në pesë kapituj libri i Mustafa Llanit trajton krimin kibernitik në këto aspekte: analiza, historik, gjenezë, e drejta penale, prognoza dhe kriptomonedhat. Pa harruar edhe analiza të tjera profesionale në fushën e jurispondencës, autori kthjellon shumë mirë, çështje të ndërlikuara sidomos ato të kriptomonedhës. Sapo shoqëria shqiptare kaloi një bum goditjesh kibernitike nga hakerat iranianë dhe që bënë bujë në sferat ndërkombëtare. Çuditërisht ky libër u shkrua para se të ndodhte ky sulm kibernitik dhe ja sot, dëgjohen lajme për një konferencë të fuqishme, që do të mbahet për t’u mbrojtuar nga arma më e re e armikut, arma kibernitike. Mustafa Llani i ka hyrë spjegimeve të çështjeve të specializuara në mënyrën më të hollësishme duke arritur deri në shpjegimet më delikate si p.sh, po sjell vetëm shpjegimin e shkurtimit “https” që përdoret në Veb. (Hypertext Transfer Protocol Secure) e ndonjë tjetër.

Ky autor pranon sfidat dhe boton në shtyp artikujt “Blerjet online, si të dallojmë cilat janë më të sigurta?” si dhe artikullin më të hershëm “ Sfidat e studentëve dhe të rinjve në epokën e Covid-19″. Janë artikuj që për nga fuqia shprehëse shkojnë paralel më librin e tij “Krimi kibernitik”. Jeta e tij shoqërore është e gjithanshme. Shoqëria tij lëviz që nga ato të përditshmet deri te ato të forumeve të ndryshme të Durrësit. Ndërsa në shoqërinë e përditshme ai ka respekte pa kufi për shokë e shoqe të shumta. Ja si shprehet ai për burrneshën e Durrësit, Dianën: “…mjafton një telefon dhe aty është ajo për ndihmë, këshillon për çdo gjë, kalojmë kohë bashkë me miq e më thotë shpesh: “Ji vetvetja”. Mustafa Llani me punët e tij të përditshme është edhe aktiv në stërvitjet e palestrës ku ka një qëndrim stoik për t’u admiruar e për t’u marrë shembull.

Ai ka marrë pjesë në “Tu si que vales, Albania” në vitin 2015, ku identifikohet me muzikën pop me këngën “Let Her Go”, ndërsa në vitin 2017 merr pjesë në “ The voice of Albania 6” me këngën e Princit “Kiss”. Duke u identifikuar me muzikën pop ai në fakt është përqëndruar në të kënduarit “Funky” dhe në video klipin, që përgatiti me këngën “Love Ëhispers “ ai u krahasua me këngëtarin Bruno Mars, për shumë ngjashmëri. Jeta e tillë e këtij djali durrsak edhe pse duket e çuditshme apo dhe shumë e larmishme, nuk është gjë tjetër veçse një jetë normale në ditët e sotme ku dituritë kapen shumë më lehtë se dekada apo shekuj më parë. Kemi të bëjmë me zbërthimin e konceptualitetit të një të riu lidhur me faktin “Krim kibernitik” ku ai thjesht shpërtheu, por unë pyes: deri ku do të shkojnë kufinjtë e shpërthimit energjitik të këtij djali në të ardhmen e afërt!? Më kujtohet skena nga filmi me famë botërore” Milioneri” i regjizorit Donny Boyle i shfaqur në të gjithë botën në vitin 2008 ku djali tetëmbëdhjetë vjeçar indian Xhamal Malik triumfoi mbi inteligjencën e vetë emisionit “Milioneri”. I nisur nga këto hamendësime mbi inteligjencën njerëzore , mendja ku nuk të shkon, sidomos kur Mustafa Llani me librin e tij modest “ Krimi kibernitik” do të ecë më tepër dhe libri i tij i parë nuk do të jetë më modest, por një vademekum mbi kibernitikën e “keqe”. Libri i tij do të jetë si një profeci mbi sulmet kibernitike që u bënë mbi dokumentat shtetërore në të gjitha drejtimet dhe ndoshta edhe një profeci tjetër mund të jetë ndarja në “departamente” të ndryshme e problemeve të kriptomonedhës dhe e problemeve të tjera të hakërimit intelektual. Cilat do të jenë sfidat e kriptomonedhës!? Kësaj pyetje dhe çudije Mustafa Llani i është përgjigjur në pjesën e fundit të librit të tij “Krimi kibernitik”. Po çdo të ndodhë më tutje! Enigmatikja dhe e papërsëritshmja do jenë dhe sfidat e këtij të riu të talentuar. Shtëpia botuese 2M Durrës do të jetë në ndihmë të çdo botimi që Mustafa Llani do të planifikojë në të ardhmen. Eshtë interesant fakti që njerëz të ndryshëm kanë reaguar për këtë analizë timen në rrjetet sociale. Kështu amerikani  Pete Cuffe  ka shkruar “ Një shqiptar me referencë për librin ” Të fundit e Mohikanve”. Kjo është diçka që nuk e prisja. Me të vërtetë një artikull i shkëlqyer.” E falenderoj për këtë vlerësim.