Suplementi Pena Shqiptare/ Fan Noli: Jepni për nënën

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë?

NOA

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

shpirt e zëmër përvëluar.

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!”

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Qan e lutet Nën’ e mjerë,

kërkon vatrën edhe nderë.

Do lirinë dhe atdhenë,

si ç’e pat me Skënderbenë!

Bijt’ e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s’i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Cilët jan’ ata tiranë

që të pren’ e që të vranë;

që të therrë bij e bija,

dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

gjakn’ e Nënës për të marrë!

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Cilët bij të tradhëtuan;

dhe të doqnë dhe të shuan,

dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok’ i mbytni,

Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s’ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

s’kursen jetën as paratë.

Hithni, hithni tok dollarë,

të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Do të ndihim pa kursyer

për ty, Nëna jon’ e vyer,

që me drit’ e nder të thuresh,

dhe me bijt’ e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s’i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

se ke djemtë n’Amerikë.

 

Armë dhe fishekë mblithni,

qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin’ e vëndit t’onë,

sot -se nesër është vonë!

Jepni, Nënën të shpëtoni:

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

se ke djemtë n’Amerikë.