Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga: Vangjush Saro

538
Sigal

Treni

Ai u vithis me gjithë ç’kishte,

në mes të fushës, në ca ferishte.

Pastaj rënkoi: “Të gjejmë fajtorët!”

Por s’u kujtua për konstruktorët,

(që flinin gjumë mbi dafina)

dhe as për Makinistë a Shina.

Kërkonte në pista të tjera:

“Më duket, e kish fajin… Era.”

Dallga

 

Një Dallgë ndiqte shoqen në detin e vjetër…
Dhe befas iu shkrep ta arrinte patjetër.
Filloi të përhidhej e shkumëzohej fort,
‘garoi’ gjithë ditën, por nuk e kapi dot.
Së fundi e ngrata, e lodhur, u shua
në Bregun që bënte gjumë të trazuar…

 

Majmun…

 

Një Majmun po rrekej të këndonte,

por vetëm klithma nxirrte nga gryka.

Pikë e vrer, u ul që të pushonte,

për t’ia filluar nga e para pyka.

I tha dikush q’e pa të dëshpëruar:

“Pse mërzitesh për kaq, o mavri?

Ja, hidhu nëpër degë pa pushuar

dhe punën e ke bërë bukuri…”

Zagari

 

Shkon korijes sy e veshë Gjahtari,

shkumëzon aty përqark Zagari.

Strukur Lepuri në shkurre e shpresë,

kot i lutet tjetrit të mos e shesë:

“Mirë yt zot, se do më çojë në zgarë,

ti përse vjen rrotull si i marrë?”

Reja

 

Reja që vallëzonte në qiell ishte
e vogël, e butë edhe e brishtë…
Papritur, era e shkundi atë;
dhe Reja u ngrys, u vrenjt, u bë gri,
e frikshme,
e dridhshme,
e madhe u bë,
në tokë, inatin e derdhi shi.
E ndërsa ajo bënte tiranin,
drurët edhe rrugët vetëm qanin.
Por pas një kohe (që askush s’e mat)
lule avujsh zu të ngjitej lart;
dhe Qiellin e madh e la pa gojë,
teksa në vallëzim sërish e ftoi…

 

Deti dhe varka

 

Një varkë e vogël,
shumë e vogël,
që Deti i madh e zhbëri sakaq,
u shkalafit si të ishte lodër
në udhëtimin e saj pa fat.
“Epo, duhet ta zgjedhësh mirë
me kë bën luftë apo lojë…”
Tha Deti tek përpinte dërrasat,
që s’kishin më as formë, as bojë.