Ajo jetonte në një gjendje boshllëku të frikshëm, ku nuk arrinte më të ndjente se çfarë ishte grua, apo thjesht një qenie që merrte frymë. Trupi i saj lëvizte, por shpirti rrinte pezull, i plogësht. Kishte një nevojë të etshme për jetë, për një ekzistencë që nuk kufizohej thjesht në qenien fizike. Donte të dashurohej nga dikush, të ishte ëndrra e dikujt, një dëshirë pa emër që i digjte brenda si një etje pa burim uji. Edhe pse nuk kishte shumë vite mbi supe, ndjente se kishin kaluar shekuj pa qenë vërtet e dashuruar, jo për mungesë njerëzish, por për mungesë ndjenje të vërtetë.
Jetonte në një kafaz hermetik të shpirtit të saj, një dhomë e errët pa dritare, ku asgjë nuk depërtonte, ku as zërat nuk arrinin dot. Ishte vetë ajo që e kishte ngritur këtë mur rreth vetes mendja e saj, me mekanizmat e vetëmbrojtjes dhe frikës, krijonte një barrierë të padukshme, por të pakalueshme. E megjithatë, në thellësinë e qenies, ndjesia e gruas, ajo intuita primitive dhe e fortë e thërriste. E ftonte të dilte nga ai burg, si një vorbull energjie që e tërhiqte në mes të saj, derisa s’merrte dot më frymë. Kishte mbetur pezull mes dëshirës për të jetuar dhe frikës për të ndjerë.Doli. Por jo e plotë, doli e copëtuar nga ajo luftë e brendshme, e shqyer në shpirt, me plagë të padukshme që rridhnin heshtur. Copëzat e vetes i mbante me forcë që të mos binin, që të mos shpërndaheshin përgjithmonë. Drita jashtë ishte verbuese një dritë që s’e kishte parë kurrë më parë, e huaj për sytë e mësuar me terrin. Aty, ulur në një qetësi që dukej jashtë kohe, dikush e priste. Fërkoi qepallat me hutim ishte sureale apo realitet? Një shfaqje e mendjes së lodhur apo një thirrje e vërtetë? Ai i foli me një zë të sigurt, kumbues, autoritar, por i ngrohtë dhe i njohur. Iu afrua si një qenie e pambrojtur, dhe lotët i rridhnin jo nga trishtimi, por nga lirimi i heshtur i një dhimbjeje që s’mund ta mbante më. Drejt kujt po lëvizte? Nuk e njihte, por një ndjesi e thellë i thoshte se e njihte. Rastësi të çuditshme e kishin shkëmbyer me të. Por pavetëdija e saj ia kishte sjellë fytyrën në mënyrë të mistershme, në ndonjë ëndërr të harruar ose në ndonjë çast të pazakontë dhe tani, më në fund, e njohu. Ai ishte një mashkull i gjatë ,gjatësia ishte pika e saj e dobët, një simbol i mbështetjes dhe forcës, me sy mes grisë dhe jeshiles, një përzierje e qetësisë dhe gjallërisë. Veshja e tij e kujdesshme dhe lëvizjet e qeta tregonin një njeri me sqimë. Eci drejt tij, por në një çast u step: Këtë e kam pritur aq gjatë. Nëse gaboj përsëri, nuk do mund ta fal më veten. Qëndroi pranë tij si një fëmijë e pastër, e pambrojtur, një fletë e bardhë që priste të shkruhej nga fillimi. Takimi i tyre nuk ishte një përqafim i zakonshëm, ata përqafuan boshllëkun, duke e kthyer në një ftesë për bashkim. Gjurmuan thelbin e vetes në sytë e njëri-tjetrit, dhe aty, në atë kërkim të heshtur por të thellë, lindi kuptimi. Jo si dhuratë, jo si diçka që jepet nga jashtë, por si një produkt i lirë, që mbin brenda dy qenieve që guxuan të shiheshin pa mburoja. Ishin të lumtur, por ishte një lumturi që s’kishte nevojë të emërtohej, ajo thjesht ishte. Në vendin ku dhanë puthjen e parë një vend i bekuar nga një përmasë tjetër kohe pas disa kohësh, pranë një hoteli, u vendos një vepër arti: Statuja e Puthjes. Dy njerëz që putheshin me një ndjesi magjike, si një shenjë e sjellë nga fati për të përjetësuar atë çast që tejkalonte masën. Ishte sikur ajo puthje kishte qenë një shkëndijë e dërguar nga lart, një energji e mishëruar që i kapërceu kufijtë e njerëzores, me një energji përcaktuese mishërimi. Afrimi i tyre kishte qenë më shumë se rastësi ishte një thirrje e dyanshme, e padukshme, që vinte nga brendësia e secilit. Ishin ndoshta gjithmonë bashkë në ndonjë përmasë tjetër të qenies, por jeta e jetuar larg kishte qenë makthi i kërkimit të tyre. Kishin një etje pa fund, që i nxiste të kapërcenin vetveten të bëheshin pasqyrë e njëri-tjetrit, reflektim i thellësive të shpirtit, ku çdo gjë ishte e vërtetë dhe e zhveshur nga iluzionet. Në çdo prekje, shqisat zgjonin forca të papërshkrueshme një magji ekzistenciale që sfidonte ligjet e vetmisë dhe kohës, duke e kthyer dashurinë në një akt krijimi të përbashkët: të qenit një në mes të gjithësisë. Ajo nuk u ringrit, sepse dikush ia zgjati dorën, por sepse e kuptoi që brenda rrënojave të vjetra të qenies së saj, fshihej një forcë zanafillore që nuk mund të mbetet kurrë peng i hirit, ishte një shkëlqim sovran i vetëdijes për ta rishpikur veten në çdo frymëmarrje, duke e kthyer dhimbjen në shtyllën kurrizore të lirisë së saj.Vështirë të mposhtësh një grua!




















