Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Si ndihem!

221
Sigal

Sa herë largohej nga ai i duhej të qëndronte e shkëputur nga të gjithë dhe nga ai vetë. Ishte si në kufirin midis dy botëve, asaj të qetësisë së përjetshme: për atë qetësi paqeje kishte aq shumë nevojë tani. Shpirti i saj ishte i mbushur plotësisht, nuk mund të mbante më brenda tij asnjë puhizë sado të vogël ndjenjë. Nuk e kuptonte madhështinë e plotësimit të skajshëm. Mendësia e saj ishte e vogël, vetëm shpirti i saj kuptonte vetveten. Kishte frikë se mbas kësaj nuk kishte më asgjë, mbas kësaj nuk ishte më ai. Nuk donte të kapërcente atë kufi që ndoshta do ta kthente në grimca, që do të endeshin për kushedi se ku … Ndihej e përhumbur si sonambul e tejmbushur me ndjenjë, nga shpirt e kthyer në lëng të plotë, që lëkundej ngadalë. Por ishte dhe në atë botën e zhurmshme në atë botën ku kishte takuar e ndjerë atë. Duhej të ruante ekuilibrin me jetën.

Atë mëngjes ai e kishte zgjuar duke e prekur me ngadalë në qafë dhe e kishte puthur derisa ajo e përhumbur i thoshte; “Jam në gjumë duhet të vazhdosh të më zgjosh”. Ajo kthehej në një llampë magjike, kur ai e përkëdhelte nxirrte veten nga brenda saj dhe atij i duhej vetëm të shprehte dëshirat …Kishin ardhur drejtë njëri-tjetrit me jetët e tyre mbi shpinë. Ishin të ndryshëm, por të qenurit bashkë u jepte një qetësi, të cilën nuk dinin t’i vinin një emër; dashuri, lumturi, apo kjo ishte ajo gjendje nga e cila doli fjala jetë! Po jetonin jetën si kurrë më parë.