Si i shikoj unë!
(Georgia O’Keeffe dhe Alfred Stieglitz)
Georgia pikturoi gjatë gjithë jetës së saj aq shumë lule, sa po të vendoseshin në një fushë, vështirë se do t’u shihej fundi.
Alfredi ishte ai që gjeti çelësin e saj, e ndezi atë, si vetë një lule, që hap petalet. Lidhja e tyre ishte pasionante, ishte domosdoshmëri për talentin e tyre. Ai u mahnit nga vijëzimi i trupit të saj; aty gjeti feminitetin dhe brishtësinë. Me këtë trup, të cilin ai e dashuroi, krijoi disa nga fotografitë më të guximshme për kohën, por edhe më poetiket që ai mundi të realizonte.
Marrëdhënia e tyre ishte kontradiktore—sa shumë kishin nevojë për praninë e njëri-tjetrit, aq edhe dëshironin të shkëputeshin nga ajo lidhje mbytëse, e cila, njëkohësisht, i bëri ata të dy të zbulonin brendinë e tyre, në skaje ku nuk do të mund të futeshin ndryshe. Sidomos për Georgian, e cila ishte rritur në një ambient të ndrydhur, aspak miqësor. Nuk e kishte besuar kurrë se brenda saj gjendeshin aq shumë ndjesi, aq shumë forcë pasioni fizik dhe shpirtëror.
Pikturat e saj ishin shumë sensuale—në ngjyrat, në mënyrën e valëzuar dhe përkëdhelëse, që përshkonte çdo detaj. Ishin të nxehta. Duket sikur bënte dashuri me petalet, si të ishin lëkurë. Në ato momente, ajo ishte një femër epshndjellëse dhe hidhte në tabllo ndjesi, që mbeteshin aty përgjithmonë. Nuk reshti deri në fund të jetës së saj së dashuruari në atë mënyrë. Ai ishte zbuluesi i saj, i tregoi rrugën ku ajo duhej të ecte. Pastaj, ajo ishte vetvetja në atë magji—askush nuk mund ta fshihte më çelësin e saj.
Dashuria e tyre shkonte drejt artit që mbartnin. Ishin të nevojshëm për njëri-tjetrin, derisa filluan të mbyteshin brenda asaj lidhjeje. Për Georgian, prania e tij po i kufizonte hapësirën ku ajo duhej të ishte e vetme. Ajo kishte një shpirt fluid, që donte liri, dashuronte të bukurën që i prekte ndjesitë. Gjithë jeta e saj ishte e mbushur me dashuri që priste t’i jepej dikujt që ishte i gatshëm, i denjë, i aftë ta përballonte këtë dashuri-furtunë që të rrëmbente.
Alfredi kishte shpesh nevojë të ishte pranë saj, por jo për gjatë—nuk e përballonte thellësinë ku futej dhe humbiste. Ajo ishte muza e tij dhe djalli brenda vetes së tij. Ai bëhej i papërballueshëm me pasionin e tij gati të sëmurë, por njëkohësisht ishte një njeri i lidhjeve të thjeshta. Kjo i jepte mundësinë që fotografia të ishte gjithmonë e para në zgjedhjet e tij.
Ndaj, ajo dashurinë dhe ndjesitë ia dha pikturave të saj. I puthi, i ledhatoi, bëri dashuri me to. Ajo ishte unike në artin që krijoi. Lulet e saj shumëngjyrëshe, shpërthyese, drithëroheshin me shfaqjen e tyre. Ishin në kulmin e dhënies—në stinën e pranverës ose në verën e nxehtë.
Por mund të them se edhe mënyra si Alfredi e fotografoi çdo pjesë të trupit të saj—sidomos duart—të bën ta shikosh veprën e tij si diçka më të thellë se thjesht fotografi. Në artin e tij kishte prozë, vargje, dramë.
Ata të dy u takuan për të na treguar çfarë ndikimi sjellin njerëzit që takojmë në jetë—si na ndryshojnë, si na zbulojnë atë pjesë të vetes ku kemi frikë të hyjmë.