Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Rrugëtim Maji…” 

456
Sigal

1 Maj! Fillim i muajit të jep atë ndjesinë e një fillimi të ri. Mjafton një mendim i ri për të ripërtërirë të gjithë qënien tënde, për të të bërë të ndihesh sikur ke rilindur në një botë më tepër të përkryer dhe më pak me brenga…

Por brengat janë ato të cilat të japin forcë për të rifituar gjithë energjitë që të fal universi duke filluar të përshkosh udhë të pashkelura në skutat e mendimeve…Të atyre mendimeve që shpesh kthehen në mundime dhe akoma më shpesh rikthehen në çlirime, dhe krejt pamja gri e shiut të trishtimit shndërrohet në ngjyra të ylberta nën rrezet e ngrohta diellore.

Ky shkëlqim që deri dje qëndronte i fshehur nën lagështirën e zymtë të shpirtit, sot çelet me sythet plot aromë përmes degëve të kuqërremta të zemrës. E këto sythe të lulëzuara mirësie, hedhin petalet e tyre mbi çdo qënie dhe i veshin me ngjyrat e çiltërsisë të Pranverës.

Me sy lodrues, çdokush e mban përqafuar këtë stinë lulëzimi, çlirimi dhe rifillimi. Mjafton një prekje nëpër kthjelltësinë e qiellit të syve, apo një vallëzim mbi të trëndafiltën e buzëve, ose qoftë edhe një pëshpëritje nën flladin e bardhësisë së lëkurës: Dhe ti ndien melodinë e vetë natyrës së shpirtit të depërtojë në çdo qelizë të qënies tënde! Është kaq e lehtë për të prekur atë që quhet lumturi, por kaq e komplikuar të futet në zgavrat e heshtura të mendjes! Heshtja është ajo që fal qetësinë, por heshtja është edhe ajo që vret qetësinë! Dhe shpesh kjo heshtje duhet vrarë, duhet thyer, shkrumbuar derisa vetë ekzistenca e saj të barazohet me kthjelltësinë!

Vetëm kthjelltësia të jep mundësinë të hedhësh hapat e tua drejt rifillimit, drejt qartësisë së destinacionit tënd për të cilin ti je krijuar për t’a përmbushur!

Përmbushja e tij do të thotë realizimi i plotë i vetvetes! Kur je i realizuar, je edhe i pamposhtur ndaj çdo pengese që të del përpara, ndaj çdo fatkeqësie që të përplas jeta, ndaj çdo ligësie që mundohet të të helmojë ndërgjegjen. Guximi është arma e vetme që të lejon të jesh i pathyeshëm,

dhe të depërtosh në pastërtinë e realitetit. Sepse vetë realiteti të lejon të rrugëtosh nëpër udhët e reja me hapa të pashkelura më parë nga ti!

Ato udhë do të jenë mësimi yt i vyer jetësor dhe pësimi aspak i pëlqyer tek të tjerët. Ato udhë janë vetë lumturia, që duket sikur jetëgjatësia e saj është sa një flutur maji, por fortësia e saj kalon përtej kupës qiellore…