Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “Vjersha ime erë ugari bje/ Vargu im erë luleshqerre bje …”

79
Sigal

 

Ndrisin portat e atij pallati

Dhe në xhamat mjekrat tundin retë.

Ç’dreq këtej më hodhi mua fati

të krekosem rëndë me poetë!

Unë rri në prag me librin tim.

Dera hapet, mbyllet e troket,

dhe të hyj atje nuk kam guxim,

jam fshatar i Jugut, s’jam poet.

Vargjet nëpër fusha i kam shkruar,

rrëzë hije rrapesh apo shelgjesh.

Shokëve të mi ua kam lexuar,

nën këmborë e blegërima delesh.

Këngët nëpër ara i kam ngritur,

rrëzë kodrash mbushur me dëllinja!

Kur nuk kisha letër, i mërzitur,

përmbi luspa plepi shkarravisja.

Vjersha ime erë ugari bje!

Vargu im bje erë luleshqerrë!

O guximi fshatarak, ku je,

pse s’më shtyn të futem menjëherë?

Unë që kam pasur aq guxim,

unë që jam rrahur nëpër ara

me armikun dhe rivalin tim,

pse tani ngurroj të dal përpara?

Me librushkën sqetullit shtrënguar,

këmbët tërë baltë ugari shtyj…

Afër pragut shumë i shqetësuar,

zë trokas, hap derën edhe hyj!

Ja pallati i madh me xhama shumë!

Hyjnë e dalin një nga një poetët.

Nga luginat erdha edhe unë

Të tregoj për arat dhe për vreshtët .

 

 

 

Më prit se po vij shpejt

 

Më prit se po vij shpejt

nëse sëmundja vjen tek unë,

ju mos më shpini në spital,

më merrni fshehur e pa zhurmë.

Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua

dhe as çarçaf e as jorgan,

por te një çezmë e te një krua

më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,

ma njomni buzën në burim.

Dhe kur të vijë andej një flutur

s’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,

as nevrolog, as profesor…

Të kem përkrah një dash të bardhë,

të kem përbri një cjap përçor.

Të m’i lëpijë faqet dashi.

Të qajë cjapi laraman.

Ta ulë sqepin shpejt larashi

me mors të japë telegram.

Të presë plot trishtim fshatari,

në shkop mbështetur me mërzi,

duke përtypur fije bari,

duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar

të derdhet bleta gjithë zgjim.

Mbi trupin tim e turbulluar,

si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,

të pijë heshtur një duhan …

Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,

për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita

i madh, i bukur, plot shëndet

dhe rrugës sime nga u nisa

t’i them: më prit se po vij shpejt!…