Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Takimi

69
Sigal

 

Sot në varreza e pashë diku emrin tënd

të gdhëndur mbi gurin e murrmë.

Cigaren e ndeza e të solla në mend

si një ëndërr të frikshme në gjumë.

Atje në shtëpinë time pas derës gri

është ende gozhda ku varje pallton e vjetër.

Është qoshja ku lije çadrën e lagur në shi

me dorëz me retër.

Është dhe një kasetë magnetofoni në raft

me zërin tënd fjalëpakë…

Unë erdha këtu në varreza nga larg

dhe do shkoj në hotel në darkë.

Kur të kthehem sërish në shtëpi

në këndin e heshtjes dhe paqes,

kasetën do marr dhe me shpirt në mërzi

zërin tënd do dëgjoj me pëllëmbën pas faqes …

1988

 

Pasioni dhe shija

Mikut tim, poetit Moikom Zeqo

 

Pasioni i madh të dy na fryn,

na djeg e na prish mëndtë:

Çdo gjë që digjet bëhet tym,

po tymi s’është i njëjtë.

E madhe bota! Pa dyshim,

e bukur dhe e rëndë,

por është e bukur, miku im,

kur s’ka asgjë të njëjtë.

Vërtet u dogjëm unë e ti

si djaj e si të shënjtë;

çdo gjë që digjet bëhet hi,

po hiri s’është i njëjtë.

Besoj dy hiret i provon

Dinaku i madh Shën Pjetër:

“ Të dy i lindi një pasion,

po paskan shije tjetër”…