Dritëro Agolli
“ Thonë se elefanti kur e ndien se po i mbaron jeta , shkon të vdesë atje ku ka lindur . Edhe poeti , i lodhur nga iluzionet dhe vitet e moshës shkon të gjejë qetësi shpirtërore në shtratin e bardhë të origjinës së poezisë, në poezinë popullore , që është më jetëgjata dhe më e qëndrueshmja . Prandaj disa mendojnë se fundi i poetit modern është tek folklori …”
nga pasthënia e librit “ Pelegrini i vonuar “ botimi i v. 1993
Nga populli…
- Erdha dhe të pashë
më katër të natës.
Gjumi s’të kish zënë,
dremitje pas vatrës.
Të binin gërshetat
mbi minderë e vjetër.
A mua më prisje ,
apo ndonjë tjetër .
- U këput një yll!
Vajti pranë hënës.
Po na vjen e bija
me nazet e së ëmës.
Vjen e hyn në odë
mbi gishtrinjtë e këmbës.
Pa na sjell kafenë
në mes të pëllëmbës.
- Kam një lëmsh në zemër:
S’di kujt t’i ankohem !
T’u ankohem maleve,
malet më largohen.
T’u ankohem fushave,
fushat mjegullohen,
t’u ankohem çupave :
Çupat po martohen .
- Kishe dalë e rrije
në sofat të portës .
Më prishe nga mendtë,
çupë e Lamçe Podës.
Kishe dalë e rrije
rrënjë trëndafilit.
Të digjej jeleku
nga zjarret e gjirit .
Marrë nga Elona Agolli






















