Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Dëshirë mistike I

22
Sigal

Je dëshirë që rri e fshehur;

më pëlqen, ashtu siç je.

Të kërkoj në ëndrra, nxehur

e të lë po prap…, atje!

Ti je arti më i bukur.

Je dëshirë që mbart kulturë.

Thellë në ndjenja rri e strukur

Trup i derdhur si pikturë…

Je një yll mbi botën time

që ndriçon vetëm nga larg.

Je ditar mbushur kujtime

Dhe plot ndjenja malli, varg!

Ti je bota e padukshme,

të dallojnë veç sytë e mi.

Eh ç’lëkurë e mrekullueshme…

që përcjell veç dashuri!

Rroj për ty…, për të tuat sy,

për çiltërsinë derdhur në ‘ta.

Eh, gjithë botën mbart aty,

përtej teje, më nuk ka!

Ti je fundi i mir’pritur;

ai fund që të jep shpresë.

I një ”premiere” të arritur

që në shekuj s’do të vdes!

Je dëshirë që rri e fshehur!

Sa të dua… ”fshehtësi”!

Nëpër deje, gjaku nxehur

ngjitet-zbret veç ku je ti!

____________________________

Dëshirë mistike II

Je një zjarr që djeg vazhdueshëm,

çdo qelizë, në çdo detaj,

Ekuacion i pakuptueshëm

e kush tjetër mund të t’ngjaj’.

Je dëshirë që rri mistike

brenda shpirtit tim merr frymë!

Bukuri mitologjike

në humnerën tënde shtymë.

Thonë që jetë nuk ka pa ëndrra.

Pa pasion s’ka dashuri.

Ti mëngjeseve del nga zemra

mbrëmjeve futesh përsëri!

Je një zjarr që sjell kujtime;

djeg, por zemra s’bëhet shkrumb,

gjer në fund të jetës sime,

do të djegësh, gjer në fund!

___________________________________

Dëshirë mistike III

Të t’harroj, jo nuk mundem…

A e di pse të mbaj larg?

Se në shpirtin tënd unë strukem

Që të mund të gjej një varg…

Të t’ kem pranë, s’e di a dua

se do m’i marrësh, dorë e penë.

Vargje shkruaj, janë të tuat

Shpirtit tënd e kanë folenë!

Të shoh mirë nga larg e lart

dhe pse kundër çdo logjike,

ti dëshirë që bëhesh art

Përgjithmonë dëshirë mistike!

 Bledi Ylli