Tik takët e orës drobiten
Dha shpirt e shkoi një ditë.
Neonë, lëkundur, përzhiten
Rrugicës së trembur pa dritë.
Mërzitshëm përgjumet qyteti
Diku, përgjumesh dhe ti.
Kjo mbrëmje në ç’malle të gjeti,
Në ç’gaze të mbyti s’e di.
Tymnajës së dendur ra hënëz
Tek rendja me çapet përtim,
Si pulset e tua të zemrës
Që rrahin të largët kujtim..
Kambanat e orës trokasin
Dhe shkau një natë ndër sy.
Rrugicash mërzitshëm kërcasin
Tik takët, qytetit pa ty.






















