Më sjell i largëti kujtim,
te kjo rrugicë me nostalgji.
Shtëpizë e parë e mallit tim
T’a gjej ku ish’ nuk di sesi.
Mbaj mend oborrin me një trine,
një shkallëz me dy tre saksi,
dhe bahçen shtruar me blerim
përmes tek rritej një kajsi.
Oh, ç’mall i rëndë sa ky qytet;
sa vetë dekadat supesh mbaj.
Diku rrugicës më thërret
shtëpiza… dhe më vjen të qaj.
Në radhë, të tjera, shkojnë e vijnë!
Atje më tej një tjetër nis.
Saksish të reja lule mbijnë
te pragu im i vegjëlisë.
Te kjo rrugicë, me nostalgji
më sjell i largëti kujtim,
t’a gjej ku ish’ nuk di sesi
të parë shtëpizë të mallit tim.