Suplementi Pena Shqiptare/ Bajame Hoxha: Si zjarri që rritet

Oh, Zot, kisha kaq dritë diellore për ty!

Shkëlqimin ua dhashë syve të tu përjetë.

NOA

Ta dhurova harlisjen sa preka ata sy;

hapësir’ e shtrirë, një qiell blu mbi det.

Kisha copëza akuj të fjetura larg nga vitet,

dhe ti, xixa vullkani të ndezura në llavë.

Tek ty, bebëza të prushta si zjarri që rritet,

u ndjeva e prekshme, konkrete, e gjallë.

 

Të pres

Të pres moj dashuri,

oh, sa kohë kam që të pres!

Të pres të vish si nuse,

si lule,

si bjeshkë.

Me aromë lulesh maji,

të pres moj dashuri e uruar,

të vish,

të pres…

Ajo natë

Dhe pse fshehur rri lëndimi,

fshehur keqas turbullon.

Herë pas here dhe premtimi,

përmes lotit më lëndon!

Sa shumë gjëra kemi thënë,

përmes tyre dhe një ëndërr,

që më vjen sikur qe mbrëmë.

ajo natë aq shumë e ëmbël!

Oh, nuk mundem thellë të hesht,

lëndimi ëndrrën ka venitur!

Thellimin tënd e ndjej dhe hesht,

si at’natë me zemër ndritur.

 

Gjer në marrëzi

Tek unë zgjove përjetime të prushta,

pranvera të bardha dhe stinë plot dashuri.

Zgjove marrëdhëniet tona të ngushta,

ndjenjën marramendëse gjer në marrëzi.

Tani, që të vura mbi duar zemrën time,

unë shkrehem e rilindur për ty përsëri.

Do të lundroj në krahët e kësaj dashurie,

gjersa të shoh, një fund të bukur si ti.