U vodh prapë busti i një heroi
dhe u dërgua prapë për skrap!
Ata që e vodhën e dijnë mirë
që asnjeri nuk do t’i kapë!
Askush s’do vihet në mendime;
të bëhet sadopak merak.
Ky vend serish njësoj do mbetet;
një hero më shumë, një hero më pak.
Një pjesë do tallet, do ngërdheshet…
(Unë nuk habitem për këtë )
Ne që s’shikojmë përtej vetvetes
heronj të tillë, s’na duhen më!

Kaq kohë na i zinte pamjen sheshit
Herë herë na dilte dhe përballë.
Ç’na duhet ne, të harxhojmë bronxin
kur jemi vetë heronj të gjallë!
E vodhën prapë një bust heroi
ta shesin për pak lekë, për skrap.
Nën piedestalin mbetur bosh
një qen përgjumshëm, gojën… hap.



















