Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Detaje të vegjël

269

E humba sot për pak urbanin,
S’më mbetet veç kokën të tund,
Unë dal e pres shumë kohë më parë,
Ai s’më priti një minutë.

U prisha dje me njërin kot,
Veç për një fjalë dhe asgjë tjetër,
Ai për llafe mbyt një botë,
Por mua më kërceu si ketër.

U zura mbrëmë me një mikeshë
Për një takim, ku s’mund të shkoj,
Ne ishim takuar një mijë herë mes nesh,
Por asaj veç ky rast i mjaftoi.

Nga dje s’më flet as dallëndyshja,
(Dhe për t’u ndrequr, s’kam më shpresë)
Me të unë bëj shpesh foto dyshe,
Veç sot harrova ta thërres.

E humba sot qetësinë e vetes,
(Do të duhet kohë që ta ndreq)
Janë ca detaje kaq të vegjël,
Që shpeshherë ta mërzisin keq.