Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Pashk Alia rrëfen për “Im At dhe Dheu i Atit”

554
Sigal

Një libër që na mëson e këshillon se gjëja më e rëndësishme në jetë është familja

Nga Bashkim Koçi

Ishte janar i vitit 2002 kur m’u dha rasti të merja pjesë në panairin e përvitshëm  të produkteve bujqësore “Java e Gjelbër”, i  cili ka disa dekada që  zhvillohet në Berlin. Udhëtimin, për hir të së vërtetës, e ndërmora edhe për një arsye tjetër, madje ishte kryesorja: të takohesha me tim bir, i cili punonte aty me bashkëshorten si emigrant, por pa dokumenta të rregullta. Falë sjelljes, komunikimit dhe korrektësisë në punë, ata ishin miqësuar me shtetas gjermanë, berlinizë, të cilët u kishin dalë garant për ndonjë aksion të mundshëm të policisë për të kapur si emigrantë të paligjshëm, e që përbënte rrezik për t’i kthyer në vendin nga kishin ardhur. Ndër ta ishte dhe Ing. Egon Bukman dhe bashkëshortja e tij Kori, me të cilët kishin krijuar miqësi dhe hynin e dilnin familjarisht. Miqësia ishte kaq e fortë dhe e sinqertë, sa të gjithë ata që vinin te im bir nga Shqipëria, dhe që nuk ishin pak, (gjyshi, gjyshja, nëna, vëllai) nuk mund të mos shkonin për një vizitë te Egon Bukman, gjë të cilën “detyrimisht” e bëra edhe unë. E dini ç’më tha, midis të tjerash,  gjermani Ing. Egon Bukman? –“M’i dëgjo këto dy fjalë Bashkim! Ju shqiptarët kini një pasuri të madhe, të cilin ende nuk ia dini rëndësinë. Ju kini familje të fortë që ne gjermanët ua kemi zili dhe fatkeqësisht që nuk e kemi. Ruajeni, është thesar i madh, por ju nuk e kuptoni”.

Mu kujtua porosia e gjermanit nga Berlini teksa lexoja librin e Pashk Alisë “Im At dhe Dheu i Atit”, i cili është shkruar  si  “me porosi” për trajtimin e një problemi madhor, nga më të rëndësishmit edhe për botën e cilivizuar, siç është familja, të cilën shkrimtari i madh Honore de Balzak,  e ka cilësuar si “bërthamën e shoqërisë”. Autori në çka tregon  në libër nuk ka fantazi, nuk jep këshilla shkollareske prej psikologu e as ngjarje të stisura, si çmund të bëjë shkrimtari me një vepër artistike. Pashk Alia ka guxuar të rrëfejë për familjen e tij të madhe, për babanë Mëhill nga fshati Brebulla i Berishës në malësinë e Pukës, i cili është figura qendrore e librit, por edhe personazhi që përfaqëson njeriun e thjeshtë, “që nuk u bë dot as brigadier kooperative”,  malësorin më tipik për sjelljen ndaj jetës, ndaj familjes si njeri i të fortë e të virtytshëm. Nga kjo pikpamje ky libër është “leksion për të gjithë”, model i pakrahasueshëm ku mund të gjesh frymëzimin se si arrihet të mundësh të keqen, se si jeta mund të të bëhet dritë edhe pse fati të përball me errësirën. Autori nuk mund të përzgjidhte babanë e tij e as nënën, që në vënd të Mëhillit të rritur jetim, fillikat dhe i burrëruar nën kujdesin e kushëririt me shpirt të lindur të madh, Çun Kola, të kishte dikë tjetër, një “Mëhill” që t’i kish rrënjët e fisit të ushqyera me pasuri. Madje këtu qëndron vlera e librit “Im Atë dhe Dheu i Atit”. Ai përciell tek lexuesi mësimin e madh se njeriu rritet e gatitet për jetën mes vështirësive, të hidhërimit e të shpresës, të gëzimit dhe dhimbjes, të cilat në rrugë e sipër krijojnë atë që ka një emër të shenjtë, familje.

Mënyra e rrëfimit të jetës të babait Pashk Alia është përpjekur të jetë i vërtetë, i sinqertë dhe, ashtu si njeri që trashëgon virtytet më të mira të malësorit, nuk harron “t’u bëjë bisht” fakteve që rrezatojnë një modesti komplet “të virgjër”. Ai e shtjellon jetën plot vuajtje e rreziqe të babait Mëhill të ndërthurur bukur me atë të të gjithë “ekipit” familjar, të nënë Shkurtes dhë 9 fëmijëve, motra e vëllezër, të cilët sot e gjithmonë kanë ditur të ‘hipotekojnë” te pasardhësit, si pasurinë më të çmuar, dashurinë, mirëkuptimin dhe atë që gëzon një emër të thjeshët, krenarinë dhe nga e kanë origjinën e të parit të fisit.

Gjatë shtjellimit të jetës plot peripeci të babait, Mëhill Alisë, autori shpesh e quan shok, mik, njeri tek i cili shikon dhe i përjeton të vërtetat ashtu siç janë, pa lustër. Krejt natyrshëm del edhe roli ideal e i padiskutueshëm i familjes, e cila në rastin më të mirë të mëson të gjitha “hiletë” se si të ecësh në jetë, si të mësosh zakonet e përciella nga brezi në brez, si të përjetosh emocionet e deri tek detyrimet e këshillat për vlerat e jetës. Të gjitha këto mësime e këshillime  të “universitetit familje”, Pashk Alia i shpalos në faqet e librit prej 320 faqe, si të jenë nxjerrë nga Kuh’rani apo Bibla, por që realisht janë thënë e zbatuar në jetë nga një njeri i thjeshtë, malsori Mëhill Alia.

Duke çfletuar librin “Im Atë dhe Dheu i Atit”, lexuesi mëson diçka që te vë në mendim dhe, nëse je prind, “të dikton” të jesh shumë i kujdesshëm e  i vëmendshëm për shëmbullin që jep përpara fëmijës, që ai të mësojë më shumë nga veprimet që ti bën, sesa nga këshillat shkollareske. Sipas malësorit të urtë Mëhill, nëse prindi gënjen, edhe fëmija do të gënjejë, nëse ai shpenzon e nuk bën llogari se ku venë paratë, edhe fëmija do ta kopjojë e do të bëjë të njëjtën gjë, e nëse prindi do të ushqejë ndjenjën e mirësisë e të dashurisë ndaj njerëzve, edhe fëmija do të jetë i tillë. Autori sjell fakte e ngjarje nga më jetësoret, të thjeshta, por me përmbajtje të thellë, të cilat ngrejnë lart, në mënyrë të padiskutueshme “diktatin” që ka familja, e në veçanti prindërit, në mirërritjen dhe formimin e fëmijës. Autori gjen rast ta përshkruajë babanë si një “engjëll”, ashtu ka ndodhur realisht gjatë viteve të jetës, por edhe të egër e nopran, që ka hyrë në shtëpi herë-herë si furtunë e që i kanë hipur “xhindët” për ndonjë lajthitje të njërit apo të tjetrit fëmijë. Por në çdo rast ai “heqjen e veshit” e bënte të argumentuar e të arsyetuar. Nuk u erdhi si dhuratë nga qielli shkollimi i atyre 9 fëmijëve, 5 prej të cilëve me arsim të lartë. Jo. Por sepse “njeriu i pashkollë”  Mëhill Alia shumë gjëra që ia solli jeta, kish mësuar se lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria. Dhe ai paskësh bërë gjënë e duhur.

Mesazhet që përcjell ky libër për vlerat dhe magjinë e familjes, ku njeriut i falet dashuri me tepri, janë të përmasave qiellore. Madje ty si lexues të vjen një pyetje së përbrendëshmi e cila të del nga zemra: Po unë, po familja ime a i ngjan kësaj që jep e përshkruan Pashk Alia? Sepse aty mëson dhe prekesh në ndjenja, në shpirt. Aty mëson se, që të jesh pjesë e një familjeje, do të thotë të jeni pjesë e diçkaje shumë të bukur dhe të mrekullueshme, do të thotë të dashuroni me shpirt dhe aty do të jeni të dashuruar i dashur gjatë gjithë jetës. Ajo çka ka dashur të nxjerrë në dritë autori është një “sekret” i vogël, por me ndikim të madh në shoqëri, siç është roli ideal i familjejes për shumëçka. Pra është familja dhe hapsira brenda katër mureve të shtëpisë ku njeriu mëson të ecë, të flasë, të mësojë zakone dhe të ndajë mirësi për njëri tjetrin. Duke lexuar librin “Im Atë dhe Dheu i Atit” emocionet nuk të ndahen, madje çuditërisht të bëjnë të përjetosh ngjarje e momente që të bëjnë “ziliqar”, për t’i patur të tuat, dhe pse jo, pronë të familjes tënde. “Enigma” bëhet edhe më e komplikuar kur kërkon të mësosh se si dhe cili është ”sekreti” që të 9 familjet e fëmijëve  të Mëhill Alisë, motra e vëllezër të martuar e të trashëguar, të kenë komunikim dhe harmoni të fortë që, siç thuhet në kësi rastesh, “as vdekja nuk mund t’ua prishë”.

Libri “Im Atë dhe Dheu i Atit” është edhe një udhëtim e rrëfim gjeografik.  Autori Pashk Alia nuk është marrë vetëm me familjen dhe me “gurin e themelit” të shtëpisë, baba Mëhillin, por edhe me rrënjët nga ka prejardhjen ky njeri dhe kjo familje, me historinë e lashtë të Berishajve të Pukës. Nëse e ndajmë librin në dy pjesë, kjo e dyta përbën një monografi më vete. Meriton të thuhet se ai e trajton këtë pjesë me kompetencë ndoshta edhe nga fakti që autori është njohës shumë i mirë i arkivave dhe mjeshtër për t’u vajtur e parë gjërat në rrënjë. Leximi bëhet tërheqës dhe të ndjell për të mos iu ndarë deri në faqen e fundit, sepse aty shkruhet me realizëm për gjithçka që formaton Berishajt e Pukës. Aty do të gjesh  princër e kapedanë, komandantë e  prijës betejash, të cilët për trimëritë që kanë treguar del qartazi se ata kanë qenë luftëtarë të paepur, por edhe krenarë e kryelartë siç mund t’i kishte ai fis me histori të rrallë ndër trojet shqiptare. Me durim dhe profesionalizëm Pashk Alia tek ky librër ka trajtuar jo vetëm çështje të gjeografisë, por ka zbërthyer edhe demografinë, besimin fetar e deri tek zhvillimi etnokulturor e toponimet e asaj treve me plot të dhëna “të pashkëlura” e të pazbuluara deri më sot.

Të jesh pjesë e një familjeje është përgjegjësi e madhe. Autori i “Im Atë dhe Dheu i Atit” , Pashk Alia, kam mendimin se e ka justifikuar këtë përgjegjësi, por edhe paska qenë me fat që është pinjoll i këtij fisi nga i cili e ka marrë këtë bekim.