Disa mbresa nga libri i Ibrahim Memelit “Mësues, respekt dhe dashuri deri në përjetësi”. “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit, nuk maten kurrë”. Konfuci
Ky libër u promovua para disa ditësh në qytetin e Korçës. Është botimi i dytë i Ibrahimit, pas librit të parë kushtuar vendlindjes “Pak dritë në themelet e Sinicës”, botuar në vitin 2017. Si ish nxënës, më vonë edhe si mësues, autori ka qënë i ngarkuar me një mori mbresash për mësuesit , parë tashmë edhe në këndvështrimin e tij si mësues. Ai vendosi mos t’i mbajë ato si “pronë” për vete, por t’i ndajë me lexuesit. Dhe pas 60 e ca vjetësh, i “derdhi” ato mbresa në 300 e ca faqe të librit. Po kujt i kushtohet ky libër? Konkretisht janë: Marie Kere, mësuese e fillores, Dhimitër Farmaqi, Petraq Samsuri, Jani Skënde, Shadije Memelli (Batelli), mësues të shkollës (8) vjeçare të fshatit Sinicë në rrethin e Devollit nga është me origjinë edhe autori; Nezhdet Mero, ish drejtor i gjimnazit të Bilishtit dhe Riza Hyso, mësues i letërsisë në këtë gjimnaz, ku autori ka kryer shkollën e mesme. Në faqet e librit ai kujton sipas rastit edhe mësues të tjerë si dhe ish nxënës bashkëudhëtarë në vitet e shkollës, që kanë lënë gjurmë në “arkivin” e kujtesës së tij. Shkolla e Sinicës ku mësonin nxënës nga tre fshatra: Sinica, Dardha e Qyteza. Ish drejtori i shkollës së Sinicës, njeriu enciklopedik, Dhimitër Farmaqi, jo vetëm për Ibrahimin, por për gjithë ish nxënësit e asaj shkolle ze vend të veçantë nderi. Ishte me origjinë nga Qyteza, por jeta e tij rrodhi mes Qytezës e Sinicës. Mbi të gjitha ai shquhej për metodën e mësimit që përdorte . Autori i librit ndër të tjera thekson : “Mësues Dhimitri qe ndër metodistët më të aftë e më të zotë që kishte jo vetëm shkolla e Sinicës e zona jonë, por edhe rrethi i Korçës e Shqipëria”. Ai e paisi shkollën e Sinicës me laboratorë e mjete të tjera të mësimdhënies, me një bibliotekë të pasur, me punishte ku nxënësit kryenin praktikën, me një kopsht me pemë.
I nxiti nxënësit për të vazhduar shkollën e mesme duke i mbushur vetë kërkesat e tyre. Për ta stolisur edhe më mirë “kurorën” e respektit e mirënjohjes për mësuesit, Ibrahimi ka marrë përshtypjet edhe disa ish nxënësve të kësaj shkolle. Nasi Iskali thotë: ” Ai mbeti njeri i thjeshtë dhe pa bujë” ndërsa Perikli Panua thekson “ai qe psikolog dhe njihte mirë natyrën e psikologjinë e çdo nxënësi”, ndërsa Niko Korçari, ish nxënës nga Dardha thotë se “Dhimitër Farmaqi do të mbetet për mua prind i dytë dhe i vetmi, pasi unë jam rritur jetim”. Me dashuri e mall autori kujton mësuesen e klasës së parë Marie Kere. Ishte viti shkollor 1955-56 kur ai filloi ditën e parë të shkollës, “ veshur me opinga, me pantallona doku , me këmishë të bardhë dhe me një qeskë doku nisa rrugën e dijes me mësuese Marien”, shprehet autori. Maria jepte disa lëndë si aritmetikën, gjuhën shqipe, këndimin, vizatimin dhe fizkulturën. Figura e saj ka mbetur e fiksuar në memorjen e shumë nxënësve. Autori sjell kujtimet e Irini Dimashit, e cila ndër të tjera shprehet:” Gjithmonë më del i skalitur portreti i mësuese Marie Keres. Duke vazhduar “rrugëtimin” në faqet e librit, ndesh një mësues tjetër të nderuar të shkollës së Sinicës. Është Petraq Samsuri, me origjinë nga Qyteza por që shumë vite të tij si mësues i kaloi në shkollën e Sinicës. Autori i librit e skalit figurën e tij në shumë dimensione ( ashtu siç ishte): mësues, shkrimtar, humorist, autor i disa librave, skeçeve, monologjeve, pjesëve teatrale, bashkëpunëtor i disa organeve shtypi, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë etj. Me nxënësit e shkollës së Sinicës ai vuri në skenë pjesë të ndryshme. Ish nxënësi “aktor” në disa role që i ngarkoi ky mësues, ndër të tjera thotë :” Mësues Petraqi më mbante pranë, më jepte recitime, role në skeçe të ndryshme etj. Punonte me mua si ndonjë regjisor i madh dhe i duruar, pasi dëshironte tek unë artistin e ardhshëm, edhe pse kjo nuk do bëhej realitet”. Stavri Dimashi, një ish nxënës e quan “ëngjëllor” mësues Petraqin dhe kujton porositë e çmuara që i ka lënë ai për të qënë mësues i sukseshëm. Autori ndalet edhe te dardhari Jani Skënde, që vinte nga një prej familjeve të njohura të këtij fshati. Ai jepte botanikë, biologji dhe kimi. “Ky mësues u bë si shok për mua” thotë ndër të tjera autori. Fjala “shok” në këtë rast flet shumë. Rrënjët e kësaj miqësie që u hodhën në bankat e shkollës së Sinicës, u zmadhuan shumë në të ardhmen. Këtë miqësi e ruajtën edhe kur ai doli në pension. Mësues Jani emigroi me familjen në Amerikë, ku kishte patur babanë e tij e aty ndrroi jetë para disa vjetësh, por figura e tij mbeti e skalitur në mendjet dhe zemrat e ish nxënësve. Gjurmë të veçanta në kujtesën e autorit ka lënë edhe mesuese Shadije Batelli (Memelli) me origjnë nga Sinica por e rritur në shtëpinë e fëmijës, pasi babai i saj, Bajrami, ra dëshmor. Pikërisht në këtë shkollë që mbante emrin e të jatit, punoi për 20 vjet mësuese Shadija. Ish nxënësja , Dhimitrulla Totoni me origjinë nga Qyteza, ndër të tjera thotë:” Mësuese Shadija shpjegonte me fjalën e saj të ëmbël dhe shpirtin e butë. Nezhdet Mero, ish drejtor i gjimnazit “Fuat Babani” të Bilishtit e më pas shef i seksionit të Arsimit në Korçë, është një figurë tjetër e shquar që e ka “rrobëruar” zemrën e autorit të librit. Nën drejtimin e tij, ky gjimnaz u bë një nga më të mirët në rrethin e Korçës e më gjerë. Për kontributin e tij autori thekson se Nezhdeti është vlerësuar me tisa tituj si” mësues i Merituar”, “Mësues i popullit” dhe “Personalitet i shquar i qarkut të Korçës në fushën e Arsimit”. Mbresat e autorit të librit për mësuesit e tij, mbyllen me Riza Hyson, mësuesin e letërsisë në gjimnazin e Bilishtit. Rizai ishte kritik arti, krijues dhe studiues në fushën e folklorit. Duke folur për përkushtimin e ish mësuesve të tij, të kujtohet shprehja:-Mësuesi i mirë është si qiriri-konsumon veten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve”.





















