Suplement Pena Shqiptare/ Fatos Arapi, “Një nga etërit e poezisë bashkëkohore shqipe”

830
Fatos Arapi është cilësuar poet elitar shqiptar, kuota më e lartë e krijimit poetik. Ky vlerësim vjen si nga studiuesit e huaj dhe nga kritika letrare shqiptare. Ndërsa studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zaniewski e cilëson Fatosin: “poeti më i madh shqiptar”. Sigurisht që tashmë kritika jonë ka pranuar se, Petro Marko është një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare, ndërsa ne plotësojmë mendimin për të dy krahët e peshores letrare prozë-poezi dhe shprehemi se, Fatos Arapi është një nga etërit themeltarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Fatosi ynë është lindur në Zvërnecin magjik të Vlorës bregdetare më 1929 në një familje intelektuale dhe atdhetare. Babai i tij Tol Stavre Arapi njihet në krahinën e Vlorës qysh para Shpalljes së Pavarësisë për veprimtarinë e tij patriotike e kulturore në shërbim të Atdheut, ndërsa në vitin 1914 botoi poemën “Kuçedra” me 20 faqe, shtypur në “Shtypshkronjën e shtetit shtypëtar” dhe publicistikën e tij atdhetare e la në dorëshkrim e cila u botua në librin “Që të bënet Shqipëria” (1996). I biri, Fatosi njihet si autor i poezisë ekzistenciale filozofike, i lirikave prillore të dashurisë dhe i elegjive prekëse për vdekjen. Botërisht njihet si poet i imazhit shqiptar dhe përbën fenomen poetik. Njeri i dashur, i dhembshur, me një zë të dridhshëm si një fije në erë, i padukshëm, i pabujshëm. Ka një penë të mprehtë, një botë të madhe, një shpirt të gjerë, që prodhon miliona dashuri jo vetëm me vargun, por me tërë qenien e tij. Ka një varg tronditës. Vërtetësi që kullon art e plagë. Varg të ngjeshur, konciz. Kush si ai i këndoi Luftës? Fatos Arapi është poet i luftës. Në poezitë me tematikë nga lufta tek “Alarme të përgjakura” shfaqet poet i impulseve të forta dhe i shprehjes së vrullshme, përmes vargjesh të rrëmbyera, të ngjyrosura me tone të ashpra dhe të mbrujtura me një theks polemik dhe disi të zemëruar, sikur vjen të pohojë me zë të lartë, të afirmojë vizionin e vet artistik përmes poezisë së ashpër të luftës. Krijimtaria e tij vijon me këtë tematikë gjatë gjithë jetës. Por…Patriotizëm i trishtë, patriotizëm që dhëmb… E kush si ai i këndoi detit? Fatos Arapi është poet i detit. Si rrallë kush. Kush si ai i këndoi atdheut sy më sy, me të vërtetën korrente, duke e ulur në tokë, duke e zbritur nga monumentet e rënda rënduar me lavdishmëria e fasadës fodulle: Atdheu është dhembje, është dhembje./ një prill i pikëlluar në shpirt./…Atdheu është toka e premtuar./…Atdheu është buka e uritur:/…në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori, i pavdekshmi-loti”. Fatos Arapi sot është poet kombëtar… “Është e dhembshme Aulona e zhdukur…” bën apel qytetar zëri shqetësues i poetit, që tingëllon vajtueshëm, si një klithmë gati mitike, i qartë se duke mbrojtur kujtesën e gjallë kulturore, të kaluarën e Vlorës antike, ruajtur nga suferinat e mijëravjeçarëve, mbron dhe ndërton të ardhmen letrare, kulurore qytetare. Ai s’kërkon gjë. As tokat e babait që ia kanë grabitur zuzarët. Ai s’kërkon. Vetëm jep. Jep…Vetëm botuesi bujar Jani Malo, njeriu qytetar i kulturës, ia botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime, më 2014. Ashtu siç Fatos Arapi e meriton. Edhe në formë. Klas! Vëllimi i parë me Poezi të zgjedhura titullohet “Më jepni një emër” dhe ka krijimtarinë poezitike të viteve 1962-1989; vëllimi i dytë titullohet “Në kaq pak Tiranë” dhe ka poezitë e zgjedhura të viteve 1990- 1996; vëllimi i tretë ka titullin”Urna e vogël” dhe përfshin poezitë e zgjedhura të viteve 1997-2003 dhe, vëllimi i katërt me poezitë e zgjedhura të viteve 2005-2010 ka titullin “Një buzëqeshje e pabesueshme”. Botimi ka ruajtur drejtshkrimin e kohës. Dhe do të vijojë botuesi fisnik i “Neraidës” me botimin e plotë të veprës letrare të Fatos Arapit duke ndjekur kriterin kronologjik sipas gjinive e llojeve letrare, sipas fushave dhe nënfushave të diturisë që autori ka lëvruar. Ja çfarë shkruan Poeti në fillim të vëllimit të tij të parë serial me Poezi të Zgjedhura “Më jepni një emër”:
FATOS ARAPI
Ti do të më dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit, pa ty është i vjetër.
Shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu, diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh!
Çast buzë Jonit
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin – si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh…
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.
Edhe sonte…
Edhe sonte në kurrizin e rruzullit
do të gjejmë një copë vend
ku të ulet dashuria jonë.
Edhe sonte, në çeturinë e qiellit
do të kërkojmë yllin,
që i panevojshëm, mbi kokë na ndriçon.
Dhe diçka të gëzueshme,
për t’i thënë njëri-tjetrit, do të gjejmë edhe sonte
Jeta
Jeta është stacion ndarjësh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.
Sigal