ITAKA JONË, E SHTRENJTË ITAKË!
(DELVINA)
Mimozat çelen çdo pranverë.
Ne s’dukemi atje.
Itaka jonë, e shtrenjtë Itakë,
si lulëzon pa ne?!
U bë kohë që s’jemi dukur;
gjithmonë e më rrallë.
Neve na bluan kraharorët,
ai, i shkreti mall.
Dhe marrim rrugët edhe vijmë,
ta shuajmë, sado pak.
Po malli ndizet dhe më shumë,
dhe sytë mbushen pak nga pak.
Zgjohen kujtime…, malle…, brenga…
Kohë që ikën e s’kthehen më.
Në vend që shpirti të lehtësohet,
zë e ngarkohet edhe më.
Itaka jonë, e shtrenjtë Itakë!
Mimozat çelen përsëri…
Po ne nuk jemi t’i shijojmë.
Ne morrën rrugët, s’di se si?!
Ato shpërthejnë, lulëzojnë,
se kanë stinën e vet.
Dhe butësisht zgjojnë malle…
Tek tuk, dhe ndonjë brengë.
* * *
Mimozat çelen çdo pranverë.
Ne s’dukemi atje.
Itaka jonë, e shtrenjtë Itakë,
si lulëzon pa ne?!






















