Shënimet e papublikuara të Dritëro Agollit

413
Sigal

Vajza e ikonës së letrave shqipe Elona Agolli, zbardh nga arkivi i Dritëroit përjetimet e veçanta të rinisë së shkrimtarit si dhe kartolinën e Babait në moshën 83- vjeçare për Sali Berishën. Çfarë porosie i dha për Nënën Shqipëri dhe për shtëpinë e tij në Viçidol të Tropojës

Elona Agolli

Kartolinat e babait

Një letër mes dosjeve të dorëshkrimeve e ditëve të dhjetorit 2014, prag festash, kur babi ulej e shkruante kartolina urimi për gjithkënd që ia ndjente zemra. Ka shumë domethënie, kuptime e nënkuptime kjo letër, e shkruar me dorën që tashmë me shumë mundim rrëshqiste në letër për të formuar gërmat. Ja teksti:

  1. Sali Berisha

Unë jam një plak 83- vjeçar, por nuk i harroj miqtë, megjithëse kam bërë edhe kritika, jo si armik.  Siç thashë, nuk harroj mikëpritjen në shtëpinë tuaj në Viçidol të Tropojës, kur isha i ri. Edhe në Tropojë kam shumë miq dhe nuk mund t’i ndaj ata miq nga ju. Të gjithë ne përpiqemi për një nënë – Shqipërinë. Ndokush mund ta quajë romantike këtë që them, por nuk është ashtu!

Me nderime

Dritëro Agolli

Për të veçantën e rinisë së Dritëroit dhe cilat përjetime të rinisë janë ato të shenjtat…

Dritëro: Rinia ime ka qenë rinia e një zogu shtegtar. Zogu shtegtar, siç thonë, gjithmonë ka miq. Një copëz e rinisë më shkoi në fshatin Menkulas të Devollit; pastaj në Gjirokastër, në konviktin e shkollës së mesme; më vonë në Leningrad, sot Sankt – Petërburg, në universitet; më tutje në Tiranë. Menkulasi, Gjirokastra, Leningradi dhe Tirana kanë qenë katër stacionet e mëdha të rinisë sime. Në këto katër stacione kam njohur gëzime, trishtime, halle dhe ëndrra; kam dashur shokë e miq, kam besuar dhe jam zhgënjyer; kam njohur kafene dhe pijetore, teqe dhe kisha, kasolle dhe pallate, kulla dhe shtëpi. I kam rënë kryq e tërthor gjithë vendit me këmbë, me kalë dhe në makina, në vapë, në shi, në dëborë. Goja më ka djegur nga speci dhe qepa, gryka më ka përvëluar nga rakia, sytë më janë shpuar nga tymi. Kam njohur ashpërsinë e gurit dhe lustrën e mermerit. Kam takuar dhe njohur Milto Sotir Gurrën, Aleksandër Xhuvanin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Eqrem Çabejin, Aleks Budën, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin, Shevqet Musaranë, Odhise Paskalin, Jakov Xoxën, Petro Markon, Fatmir Gjatën, Endri Kekon, Nikolla Zoraqin, Selman Rizën, Abdurrahim Buzën, dhe të tjerë që nuk janë më. Kam parë fare afër dhe kam shtrënguar dorën me Hrushovin, Mao Ce Dunin, Lin Biaon, Cian Cinin, Çu En Lain. Kam parë Shollohovin, Simonovin, Evtushenkon, Ehrenburgun, Nazim Hikmetin, Azis Nesinin, Jashar Qemalin dhe shumë të tjerë. Kam pasur profesor të folklorit V. I . Propp-in, një nga teoricienët më të mëdhenj të botës, i kritikuar për formalizëm në kohën e Stalinit, autorin e famshëm të librit “Morfologjia e përrallës”. E veçanta e rinisë sime është njohja me një varg individësh dhe personazhesh të historisë, shkrimtarë dhe politikanë, që nuk do t’i takojë njeriu t’i shohë as në ëndërr. Kjo është një e veçantë historiko-politike. Kurse e veçanta jetësore dhe sentimentale është shtegtimi im. Nuk jam plakur atje ku kam lindur. As nuk jam formuar atje ku kam lindur. Në vendin ku linda, në fshat, unë mësova gjuhën e nënës me tërë ngjyrat. Por më e madhja është se eca nëpër barin me vesë, dëgjova këngën e këndesit dhe vajtimin e kukuvajkës; u nanurita me gurgullimën e përroit dhe shushurimën e lumit pranë shtëpisë. Atje i mësova t’i këndoj këngët popullore në dasma. Unë i di përmendësh gati të gjitha këngët popullore të Jugut, po edhe një pjesë të Veriut. Edhe kjo është një e veçantë. Ka pastaj gjëza të tjera intime dhe sentimentale që tani për tani nuk tregohen. Më vonë. Një filozof ka thënë:  “Kush di t’i vuajë të gjitha, mund të guxojë të gjitha.” Si të shenjtë unë ruaj atë stacionin e rinisë së fshatit, këngën e këndesit dhe gurgullimën e lumit. I shoh në ëndërr. Dhe ky është një tregues i shenjtërisë.

TEK E ËMA

Tek e ëma s’vinte sa ish gjallë,
Mbase vinte, por besoj se rrallë.

Erdhi kur e shpuri në varreza
Sypërlotur, veshur me të zeza.

Ah, tek nëna s’vinte sa ish gjallë,
Dhe tani në varr i shkon çdo javë.

Një mëkat, që ndofta s’lahet kurrë,
Shkon e lan, ku nëna fle nën gurë…

LETRAT

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.
Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.
Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

PRITJA

Gjysma e qiellit me re dhe gjysma tjetër e kaltër
Këtë harmoni shkrepëtima e prish
Gjysma e shpirtit e ngrirë dhe gjysma tjetër e vakët
Dhe në gjoks një ankth si iriq.

Ndaj sot nuk do shkojmë kurrkund,
As në koncert, as në park, as në varre;
Ti shko në dhomën tjetër dhe mbesën përkund
Dhe unë po ndez një cigare.

Mbase kujtohet im bir arratisur në botë
Dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon!
Ah, kjo cigare që pi është e fortë,
E ndiej kur në gjoks më shtrëngon.