Si shkuran ministret e reja të hidhnin fall pasi donin të dinin fatin e qeverisë
– Kur ishim studentë në prag të çdo provimi, pranë universitetit vinin fallxhoret.
Fejton
Që kur isha fëmijë më janë fiksuar ca detaje, që nuk më shqiten nga mendja. Fjala vjen, nuk e harroj pazarin e qytetit tim me gjullurdinë e madhe. Nuk i harroj tregtarët e vegjël që bërtisnin për të shitur mallrat e tyre: – Hajde biza, shtiza, karfica…/ – Sita, sita të mira kemi…- Lopata, sqeparë e hanxharë kemi…Shumë më vonë këto skena i kam parë edhe në disa filma. Ja një: – Hajde kinina! Urdhëroni myshteri, kinina të mira e të lira kundër mushkonjave…Po atë çast kapter Veseli iu turr tezgaxhiut ta gjobiste. Ky i fundit, që e dinte mirë “formulën” e korrupsionit, ia zuri gojën me një kartmonedhë. Dhe Veseli u zbut fare. Siç duket, do jetë më i lashtë “virusi” i korrupsionit se “Koncert në vitin ‘36”. Nejse, nuk e kam këtu muhabetin. Edhe fallxhoret për herë të parë në pazar i kam parë. Nxirrnin ndonjë lekë se “u gjenin” fatin fakirëve fshatarë. Isha fare pranë në një rast kur u afrua fshatari tek fallxhorja.
– Kam ca netë që s’më zë gjumi, – i tha.- Do më gjesh ça halli kam?
– Posi, në vend ta gjej unë – u përgjigj fallxhorja.- Hidh këtu 20 lekë se nuku zë falli dhe nuku të del e vërteta. Sapo hallexhiu hodhi lekët, ajo filloi:
– Hama hatëri të mos të mbetet, hama qejfi të mos të prishet. Ke 6 miq, 3 të mirë e 3 të liq. Më thuaj të vërtetën, këto ditë do marrësh dy rrugë; një të gjatë e një të shkurtër. Rreth e rrotull shtëpisë tënde të kanë zili. Dy flasin mirë, dy flasin keq…Shpejt ose vonë do kesh një haber të mirë…Ama të gjetur! Kishte 3 miq të mirë e 3 të liq. Këtë e di dhe harabeli se edhe miqtë si me hanxharë ndahen; ca ashtu e ca kështu. Apo që do merrte dy rrugë, se do merrte një haber të mirë shpejt ose vonë… O po, gallatë me rigon! Kur ishim studentë në prag të çdo provimi, pranë universitetit vinin fallxhoret. Rreth tyre mblidheshin ca djem, po më shumë vajza me fiksime. Donin të dinin fatin e provimit. Zinin radhën tek fallxhoret. Dhe fallxhoret fillonin “formulën”: – Hama hatëri të mos mbetet, hama qejfi të mos prishet. Këtë muaj do kesh 4 provime; 2 të lehta, dy të rënda. Po hiç mos ke merak se do i marrç. Një sevda e madhe ta ka prishur mendjen. Vetëm do bësh mirë të mësosh nga një çikë. Të të them edhe notën që do marrësh? Më hidh një 20-she tjetër. Ja dhe një fallxhore kaluar profesores. Të gjente edhe notën?! Para disa ditësh po shkoja andej nga pazari i ri i Tiranës. Isha kredhur në mendime kur, papritur e pakujtuar, ma prenë rrugën dy fallxhore. Njëra më e madhe se tjetra. – Të shoh të hutuar ‘re çavo. Një hall të madh ma ke. Po ta gjen motra ty dhe ta heq këtë siklet,- tha më e madhja. Në çast më erdhën në mend ato fallxhoret në kohën e rinisë time. – Po vërtet e kam një hall, – i thashë.- Nuk besoj ta gjesh dhe nuk më qetëson dot.
– Uu, nuku më njeh mirë mua,- ma priti ajo. – Unë hyj në mendjet e njerëzve, atje ku s’ta pret mendja. Hidh ndonjë lekë se nuku ngjit falli…Mbeta ca i shastisur. E për të dalë nga situata, tregova “hallin” e madh që kisha. Jam i bindur se këtë “hall” duhet ta keni dhe ju. – Do ma gjesh të vërtetën, po të vërtetën ama.- Nisa të “rrëfehesha” unë. – Ai politikani “i gjatë” tha se studentët e paskan bërë universitetin “kashtë e koqe”. Ndërsa këta politikanët tanë e kanë bërë më keq se “kashtë e koqe” gjithë vendin. Si do i vejë halli këtij muhabeti? – Uu, të thashë se paske hall të madh vërtet,- u “çel” fallxhorja. – Ta heq motra si me grep. E di ç’më bëri vaki para ca ditësh ‘re çavo? Do ta rrëfej e për këtë nuku dua asnjë lek. Erdhën tek unë ca çupërlinka. Ishin dy bjonde e dy brune. E kishin dëgjuar edhe ato punën e “koqurinave të kashtës”. Ishin në merak të madh. Të hanin në koqe të syrit, të them. Ua hoqa merakun, duke djegur ca koqe kripë…Ishin dhe paralleshka të mëdha, se më hodhën shumë euro. Mos i gjeça në rrugë kalamaqtë e lagjes!…- E ti si u the?- “Hama hatëri të mos u mbetet, hama qejfi të mos u prishet. Keni për të marrë dy rrugë; një të gjatë e një të shkurtër. Jeni nisur për rrugë të gjatë, po nuk e keni të gjatë… Aty ku punoni ju, keni dy ustallarë; një të gjatë e një të shkurtër. Nga “i gjati” ruhuni se do t’u lërë si fije kashte, se koqet i mori për vete…” Ah, more vëlla, sa u gëzuan që ua zgjidha hallin! Kur ikën, hodhën euro dhe u hipën veturave. Uu, kush ishin ato! Ishin nga këto ministret e reja. Donin të dinin fatin e qeverisë. Ti do të dish si do vejë halli ynë? Kashta dhe bari mbeti për ne,‘re çavo. Mos i gjeça në rrugë kalamaqtë e lagjes!…- Hallall, – i thashë, – merre këtë 200 lekshin, se ma hoqe edhe mua “hallin”. Qënke mjeshtre e fallit; i ke rënë në lule të ballit…




















