ZYRTARE/ Lëvizje e bujshme e Egnatias, shet për 200 mijë euro sulmuesin

38
Sigal

E afruan falas në 16 janarin e 2023 dhe fiks një vit më pas arkëtojnë 200 mijë euro nga shitja e sulmuesit Gytis Paulauskas te Kolos Kovalivka në Ukrainë.

Egnatia duket se është bërë një klub model në muajt e fundit dhe veç kreut të Superligës, di të fitojë edhe shuma të konsiderueshme nga shitja e lojtarëve të saj.

Këtë pasdite rrogozhinasit zyrtarizuan kalimin e 24-vjeçarit lituanez në Ukrainë.

“Klub Futboll Egnatia njofton se ka arritur me sukses operacionin për shitjen e sulmuesit Lituanez Gytis Paulauskas tek skuadra Ukrainase Kolos Kovalivka.

Klubi falenderon sulmuesin Paulauskas dhe klubin Kolos Kovalivka për korrektësinë e treguar.

Suksese Gytis”, njoftojnë rrogozhinasit.

Në 21 ndeshjet e këtij sezoni me fanellën e Egnatias, Paulauskas shënoi katër gola dhe asistoi dy herë, duke qenë një ndihmë e madhe në sulm.

Këtë sezon veç Paulauskas, Egnatia shiti në Turqi edhe Iskandarli, teksa më herët ka fituar të ardhura edhe nga shitja e Agbenpornu dhe Jackson.