Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ U mbyllën ndeshjet e javës së 21-të, dje në Gjirokastër “bardhësi” në gola dhe rezultat, flasin trajnerët
Hasan Lika: Shpërdoruam shumë, por barazimi është rezultat pozitiv
Një barazim me shumë raste të humbura për ju, çfarë mendoni se nuk shkoi?
Nuk shënuam dot dhe rrezikuam edhe ta humbnim ndeshjen, sepse në fund Vllaznia pati disa raste të mira. Nëse humbasim raste, së pari ka meritë skuadra dhe individi, që krijojnë rastet. Pastaj, në futboll shpesh rastet nuk shënohen, për fat të keq kështu ndodhi edhe me ne në këtë ndeshje.
Kësisoj, e mendoni këtë një rezultat pozitiv apo prisnit më shumë?
Natyrisht që barazimi është rezultat pozitiv, edhe pse ne luanim në fushën tonë, por synimi ynë ishte që ta fitonim ndeshjen. Gjithsesi, Vllaznia është një skuadër e fortë, është përforcuar ndjeshëm pas merkatos së janarit. Dua të falënderoj djemtë, dhanë gjithçka, duke kompensuar edhe mungesat, por nëse nuk shënon, nuk fiton dot.
Edhe Abazaj nuk “kërcënoi” sa duhet për gol, çfarë nuk bëri mirë në finalizim?
Abazaj shënon shpesh, madje edhe gola të bukur, por ndoshta sot (dje) duhej të ishte pak më i qetë para portës së Vllaznisë. Na duhet që sa më shpejt të rregullojmë shënjestrën e golit, sepse Kampionati tashmë është në shkallën më të lartë të vështirësisë.
Sot (dje) ndaj Vllaznisë, pse skuadra e Luftëtarit pati luhatje në lojë?
Po, është e vërtetë që luajtëm një ndeshje me luhatje, nga pjesa e parë në të dytën, edhe pse kishim disa mungesa titullarësh. Pas pushimit bëmë një ndryshim të madh, edhe cilësor, me Bregun që u përmirësua ndjeshëm, por edhe Abazaj, ndaj pjesa e dytë ishte e kënaqshme. Na duhet që të përmirësohen dhe të ndihmojmë më shumë sulmuesit.
Janë edhe 15 javë deri në mbyllje të Kampionatit, çfarë do të synoni në vazhdimësi?
Objektivi ynë nuk ka ndryshuar, madje tani është edhe më emergjent për ne. Ne duam t’i largohemi sa më shpejt fundit të tabelës, më pas do të shohim realisht ku mund të shkojmë, por largimi nga zona e “ftohtë” mbetet parësore për ne.
Barazimi është rezultat pozitiv, edhe pse ne luanim në fushën tonë, por synimi ynë ishte që ta fitonim ndeshjen. Gjithsesi, Vllaznia është një skuadër e fortë, është përforcuar ndjeshëm pas merkatos së janarit
Ernest Gjoka: Vllaznia e meritoi një pikë në këtë transfertë
Duke qenë ndeshje transferte për ju, jeni të kënaqur me këtë barazim në Gjirokastër?
Ne erdhëm këtu për një rezultat pozitiv, dhe barazimi është i tillë. Na duhej në radhë të parë të bënim kujdes në kontrollin e lojës, duke e ditur se Luftëtari ka një treshe sulmuese shumë cilësore. Nga pjesa e parë në të dytën ndryshuam, ndaj mendoj se barazimi ishte i rezultat i drejtë.
Nuk prisnit më shumë sot (dje) nga skuadra juaj?
Skuadra u fut me vështirësi në ritmin e duhur, kjo na ka ndodhur në disa ndeshje. Por, pas 15 minutave të para ne e rigjetëm ritmin dhe luajtëm mirë, duke krijuar edhe raste për shënim. Nuk duhet të harrojmë që Bregu, Abazaj e Shkurtaj janë sulmues shumë cilësorë.
E quani me fat që nuk u ndëshkuat nga rastet e shumta të Luftëtarit?
Nuk mund të them fat, sepse në fazën mbrojtëse ne kemi qenë më mirë se sa veprimet e sulmit të kundërshtarit. Nuk është e lehtë një një ndeshje transferte si kjo ndaj Luftëtarit, që ta mbyllësh ndeshjen pa pësuar asnjë gol, e kjo ishte meritë për Vllazninë, me pak fat.
Ndikoi te Vllaznia situata që ndodhi me ju gjatë javës që mbyllëm?
Skuadra nuk ka qenë e qetë, edhe pse ai rast kishte të bënte me mua si trajner. Nuk mund ta mohoj se ka qenë një situatë shumë shqetësuese për të gjithë, por Vllaznia ka shumë personalitet dhe luajti një ndeshje shumë të mirë, reagoi shumë mirë ndaj ngjarjes së fundit ndaj meje. Për këtë, unë kam vetëm falënderime ndaj të gjithëve.
Kjo çështje është në hetim, po ju ndjeheni nën presion?
Ndoshta nuk më takon të flas në këtë moment për këtë çështje, sepse zhvillohen hetime. Por, mund të them që prej tre muajsh kemi qenë të shqetësuar dhe nën presion te Vllaznia. Më mbetet vetëm që të shpresoj te policia e Shkodrës, e cila duhet të zgjidhë gjithçka .
Ne erdhëm këtu në Gjirokastër për të marrë një rezultat pozitiv, por edhe barazimi është i tillë. Na duhej në radhë të parë të bënim kujdes në kontrollin e lojës, duke e ditur se Luftëtari ka një treshe sulmuese shumë cilësore
7 gola
Në ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë Superiore u shënuan 7 gola, mesatarja më e ulët në këtë sezon
6 skuadra
Në ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë Superiore, gjashtë skuadra nuk mundën të shënon gol
Rezultatet-Java e 21-të
Të shtunën, 23 shkurt 2018
Kukësi-Laçi 1-0
Lushnja-Kamza 2-3
Skënderbeu-Partizani 1-0
Teuta-Flamurtari 0-0
Të dielën, 24 shkurt 2018
Luftëtari-Vllaznia 0-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 21 49
2. Flamurtari 21 36
3. Kukësi 21 35
4. Kamza 21 32
5. Laçi 21 30
6. Luftëtari 21 28
7. Partizani 21 28
8. Vllaznia 21 22
9. Teuta 21 18
10. Lushnja 21 10
Ndeshjet-Java e 22-të
E mërkurë, 28 shkurt 2018
Kukësi-Skënderbeu 14:00
Kamza-Teuta 14:00
Laçi-Vllaznia 14:00
Partizani-Lushnja 17:00