Endrit Braimllari: Kryeministri i lidhur me krimin nuk bën dot Vettingun në Polici

449
Fjala në Kuvend e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari

Të nderuar kolegë,
Projektligji i ardhur sot për shqyrtim ꞌPër vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshmeꞌ , është i një rëndësie të veçantë. Ka rëndësi të veҫantë pasi ka të bëjë me instuticionet ligjzbatuese, me sigurimin e rendit për ҫdo qytetar. Në këto kushte ne kemi bërë një shqyrtim të kujdesshëm duke dhënë opinionet dhe idetë tona konstruktive në funksion të forcimit dhe zbatimit të këtij projektligji, duke dhënë kontributin tonë pozitiv në kuadër të forcimit të rendit dhe sigurisë publike në vend. 

Janë dy elementë të rëndësishëm të këtij projektligji,
1. Zbatueshmëria
2. Besueshmëria
Dua të ndalem tek besueshmëria që duhet të kenë qytetarët.Është e vërtet që në këtë kohë që ne po kalojmë, ajo ç’ka është thelbësore për qytetarët ka të bëjë me besueshmërinë.Përse qytetarët duhet të kenë besueshmëri në këtë aspekt?Duhet të kenë besueshmëri, sepse në këtë projektligj nuk duhet që politika të fusi duart. Nuk duhet që ky projektligj të jetë i kapur nga kryeministri. 

Nuk duhet të jetë i kapur nga kryeministri, sepse është ky kryeministër, i cili e ka çuar Policinë e Shtetit në ditët e saj më të vështira dhe më të këqija. E kuptoj që për mua është e vështirë sot që të flas për Policinë e Shtetit sepse të gjithë ne kërkojmë një Polici europiane, kërkojmë një polici e cila zbaton ligjin.Kërkojmë një Polici e cila i përgjigjet kërkesave të qytetarëve, por mbi të gjitha kërkojmë një Polici, e cila është prezent në komunitet. Unë nuk dua të paragjykoj të gjithë sistemin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo dhe institucioneve të tjera, sepse midis tyre, ka oficerë dhe drejtues policie të cilët janë të zotë dhe prej vitesh kanë dhënë kontribut në ndërtimin e institucioneve të këtij vendi, ka drejtues policie që janë përballur me bandat me krimin e organizuar, por ajo çka është e pafalshme për këtë qeveri, dhe ajo çka është shqetësuese për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë të bëjnë me atë gjëndje ku ne kemi çuar Policinë e Shtetit. Ku themi ne, e kam fjalën për kryeministrin e kësaj qeverie, sepse është personi përgjegjës, i cili mban përgjegjësi për këtë situatë. Mban përgjegjësi sepse është ai i cili për vite të tëra loboi dhe u shfaq në publik duke thënë se kjo është Policia që duam, kjo është policia e qytetarëve, kjo është policia që lufton bandat dhe krimin e organizuar, por nga ana tjetër sot kemi një realitet të ndryshëm. Kemi një realitet ku drejtues të lartë të Kupolës së Policisë së Shtetit janë të përfshirë në trafik.Kemi realitet shumë të frikshëm për shqiptarët dhe besoj që është shumë e rëndë.Po flas me fakte, janë tre drejtues kryesorë të Policisë së Shtetit që ndodhen në arrati. A e kuptoni sa e rëndë është kjo për qytetarët e këtij vendi? Ata persona që duhet të zbatojnë ligjin, ata persona që duhet të ruajnë sigurinë e qytetarëve në këtë vend, sot janë në kërkim. Të jeni të bindur, fakti që janë në kërkim dhe nuk janë përpara drejtësisë i bën ata fajtorë.Dhe kjo tregon edhe njëherë lidhjen e tyre me trafikun e lëndëve narkotike, lidhjen e tyre me botën e errët të krimit të organizuar.Nuk dua ti referohem këtu relacionit që ju keni sjellë në komisionin përkatës, sepse edhe në relacion bëhet e qartë që situata është e tillë, ka një polici të lidhur me krimin, një polici ku pandëshkueshmëria është në nivele të larta, një polici ku nuk ka kontroll. Pra ky Vetting në polici vjen për një arsye shumë të thjeshtë, për të rregulluar rolin e Policisë, për të çuar Policinë në standardet e duhura. Sigurisht që në këtë drejtim, jemi pro parimisht, sepse kërkohet një kontroll i policisë për shkak se ka shkuar në këtë gjendje, sepse po të kishim një polici normale nuk kishte arsye pse duhet të kalonte me Vetting. Nëse do të kishim një polici normale janë vetë mekanizmat e funksionimit të policisë të cilat e rregullojnë këtë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm etj. Po shkojmë në këtë situatë, sepse Policia në këtë drejtim ka probleme shumë madhore për shkak të keqqeverisjes në këto katër vite, për shkak të përfshirjes së policisë në trafikun e lëndëve narkotike, për shkak të përfshirjes së drejtuesve të lartë të policisë në krim të organizuar, për shkak edhe të një rasti të bërë publik, të kryeministri të vendit, mos gaboj në qarkun e Beratit, ku i bënte thirrje publike Policisë së Shtetit, që hiqni kapelet dhe bëni fushatë ProRilindjes. Kjo situatë e ka kompromentuar rëndë Policinë e Shtetit, dhe unë bëj vetëm një fajtor.Ai është vetëm kryeministri i vendit.Edhe pse sot, ish-ministri i tij i brendshëm është nën hetim, përsëri ai është fajtori kryesor, sepse ai është personi i cili ka lejuar të ndodhi kjo situatë.Ai është personi i cili ka bekuar këtë system, që nuk është sistem kontrollues, por është sistem kriminal i Policisë së Shtetit, dhe kjo është e rëndë për çdo shqiptar.Vijmë tek projektligji. Të jeni të bindur që përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në komisionet përkatëse, por edhe në komisionin e sigurisë kanë dhënë kontributin maksimal, ashtu sikundër edhe opozita për të përmirësuar rolin e këtij projektligji. Për të pasur një projektligj i cili vërtet do ti shërbejë qëllimit të tij, pra verifikimit të Oficerëve të Lartë të Policisë dhe pastaj gjithë strukturës së saj. Po ku qëndron problemi?Përtej shumë propozimeve tona, që janë bërë nen për nen. Problemi qëndron te një gjë shumë e rëndësishme e projektligjit, që është Bordi, i cili do të përzgjedhi të gjithë trupën që do të realizojë procesin e Vettingut. Si mundet që një Bord i tillë, apo dhe një strukturë e tillë, e cila do të kalojë në Vetting Policinë e Shtetit, të mos vettohet për vete?Që anëtarët e këtij bordi të mos kalojë procesin e Vettingut.Kjo është shumë e rëndësishme, sepse nesër nuk ka moral, që një përfaqësues i këtij Bordi, të kalojë në Vetting Oficerë të Lartë të Policisë dhe ndërkohë nuk ka bërë për vete Vettingun. Mjafton kjo për të thënë se kjo është propogandë, nuk është një ligj do të gjejë zbatueshmërinë e tij serioze. Nga ana tjetër përfshirja në këtë Bord, e instuticioneve që janë drejtëpërdrejtë në varësi të kryeministrit e kompromenton rëndë këtë projektligj. E kompromenton rëndë, sepse vetë ai person, i cili e solli Policinë e Shtetit apo dhe institucionet ligjzbatuese në vend në ditët më të këqija, sot kërkon që të lajë duart nga e gjitha ajo që ka ndodhur në katër vite. Të pastrohet nga e gjitha ajo që ka ndodhur në katër vite. A thua sikur nuk është ky personi, i cili është i implikuar në këtë shkatërrim të Policisë së Shtetit. Dhe sjell një Bord, i cili drejtohet nga Kryeministri, nga përfaqësuesit e tij. Drejtohet politikisht dhe të jeni të bindur që do të prodhojë një proces tërësisht politik. Nga ana tjetër, ne si përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim kemi bërë disa propozime në komision, edhe pse nuk u shqyrtuan si të rëndësishëm nga ana e mazhorancës, por të jeni të bindur që propozimet tona kishin të bënin me një arsye shumë të thjeshtë. Kishin të bënin me forcimin e këtij projektligji, me zbatueshmërinë e këtij projektligji, por mbi të gjitha që ne të kishim një ligj, i cili do të ishte në nivele të larta besueshmërie për qytetarët sepse kjo është edhe më e rëndësishme. Nuk u pranuan propozimet tona, sepse u gjykuan të tepërt, por ne vazhdojmë dhe këmbëngulim, që ky ligj të jetë i besueshëm për qytetarët, që ky ligj të gjejë zbatueshmërinë te qytetarët, që ky ligj ta sjelli Policinë e Shtetit në ato nivele të duhura europiane, duhet që kryeministri të heqi duart nga ky ligj, duhet të heqi duart nga Bordi që do të përzgjedhi pastaj gjithë trupën që do të kalojë në Vetting, sepse është i kompromentuar rëndë dhe nuk mundet që ai ta drejtojë këtë proces. 
Sigal